MENU
klinika

Analiza

Perëndimi po bie pre e shantazheve të Iranit

20.09.2023 - 08:30

Nuk ka asgjë më të kotë se lotët, dhe asgjë tjetër nuk u jep më shumë kënaqësi dhe ndjenjë fuqie atyre që i shkaktuan ato. Fundjavës që kaloi, Ajatollah Ali Khamenei, pikërisht në përvjetorin e vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Amini nga “policia e moralit”, kishte mundësi të planifikonte mënyrën e përdorimit të 6 miliardëve dollarëve, të cilat i ka dhënë Shtetet e Bashkuara në këmbim të shtetasve të saj të rrëmbyer.

Kjo pagesë pretendohet nga Uashingtoni se nuk përbën një thyerje të regjimit të sanksioneve. Por fakti është se efekti i dhënies së këtij shpërblimi është shumë më i gjerë sesa arsyet humanitare. Ai shkon për forcimin i regjimit. “Kjo është marrëveshja më e keqe e arritur ndonjëherë. Tani iranianët do të rrëmbejnë sërish shtetas të tjerë amerikanë për të marrë më shumë para dhe me to do të financojë terrorizmin”- deklaroi ish-shefi i CIA-s dhe ish-Sekretari i Shtetit gjatë presidencës Trump, Majk Pompeo.

Regjimi në Iran ndihet aktualisht i fortë: nga ideologjia, struktura politike, përbuzja për gratë, si dhe ripohimi i rolit të tij në botë. Ai vrau të renë Mahsa Amini, dhe është aq i sigurt në vetvete saqë disa ditë më parë babai i të ndjerës Amxhad Amini u arrestua paturpësisht pikërisht nga policia që i vrau të bijën.

Qoftë milicia Basij, Pasdaran apo Garda Revolucionare, që të gjithë ata qëllojnë dhe rrahin njerëzit e thjeshtë. Ata janë pjesë e piramidës drejtuese në emër të Zotit. Dhe janë rikthyer më fuqishëm se më parë si “gardianë të moralit”. Regjimi aktual i do.

Prandaj nëse komuniteti ndërkombëtar nuk vendos për një politikë konkrete që e frenon Iranin nga ushtrimi i dhunës, kërcënimi dhe terrorizimi, ata do të vazhdojnë të godasin kudo. Ali Khamenei e di shumë mirë se nuk do të dëmtohet nga parullat, marshimet dhe zemërimi i shprehur në rrugë nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Regjimi iranian është një sistem dinak i bazuar tek frika dhe shantazhi. Irani gjendet në krye të të gjitha listave ndërkombëtare mbi terrorizmin. Garda e tij Revolucionare është e ngarkuar me “një mision ideologjik të Xhihadit apo shtrirjes së sovranitetit dhe ligjit të Zotit në të gjithë botën”.

SHBA-ja dhe së fundmi Britania e Madhe po e konsiderojnë të paligjshme këtë organizatë, dhe ky shembull duhet të ndiqet në mbarë botën. Irani po kërcënon hapur me vdekje shtetas të huaj, hebrenj, personalitete si Majk Pompeo dhe Xhon Bolton. Po ashtu Teherani kërcënon të shkatërrojë shtetin e Izraelit, e mbështet Hezbollahun me
miliarda dollarë financime, në mënyrë që raketat e tij të godasin në të gjithë Lindjen e

Mesme. Ai financon edhe Hamasin, Xhihadin Islamik dhe rebelët Huthi në Jemen, dhe kontrollon piratët që veprojnë në Gjirin Persik. Ndërkohë vazhdon të ndërtojë armë balistike dhe po e pasuron uraniumin deri në kufijtë e ndërtimit të bombës atomike. Deri tani pasurimi është në nivelin 80 për qind, por shumë shpejt nuk do ketë asnjë kufi. Nga ana tjetër Teherani e sfidon hapur IAEA, agjencinë e energjisë bërthamore të OKB-së, dhe fundjavën e kaluar dëboi 1/3 e inspektorëve të saj, një
lëvizje të cilën drejtori i përgjithshëm i agjencisë Rafael Mariano Grosi e etiketoi si “jo- proporcionale”.

Për më tepër vazhdon ta furnizojë Vladimir Putinin me dronët ushtarakë “Shaheed” për luftën e tij në Ukrainë. Ndërkohë, presidenti iranian Ebrahim Raisi është pranuar tashmë si vëzhgues në samitin e fundit të BRICS në Afrikën e Jugut me ndihmën e rusëve dhe kinezëve.

Irani është tashmë pjesë e SCO, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait. Rusia dhe Kina janë sponsorët kryesorë të SCO dhe operacionet e saj shtrihen në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë. Por përballë kësaj situatë, presidenti amerikan Xho Bajden po tregohet shumë i kujdesshëm. Ai nuk dëshiron shumë andralla me Iranin deri në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.

Në këtë mënyrë është çarë “muri” i domosdoshëm i sanksioneve. Gjashtë pengje amerikanë do të lirohen për shumën gjigante prej 6.5 miliardë dollarësh. Kjo marrëveshje e tejkalon shumë 1.6 miliardë dollarë që pagoi dikur Obama për lirimin e 4 amerikanëve.

Këto para në xhepat e regjimit që persekuton qytetarët e tij dhe që i shkakton luftë gjysmës së botës, duhet të ngrenë në këmbë të gjitha lëvizjet dhe organizatat që duan të mbrojnë gratë, disidentët iranianë, që ta kundërshtojnë një qasje të tillë. Të drejtat e njeriut janë funksion i
pushtetit, ndaj lufta për të mbrojtur gratë kalon nga vendimi se si duhet të kundërshtohet regjimi iranian.

Nga Fiamma Nirenstein “Il Giornale”