MENU
klinika

335 persona të bllokuar në gadishullin e Pelionit

Përmbytjet në Greqi, shkon në 15 numri i viktimave

11.09.2023 - 10:14

Numri i vdekjeve nga përmbytjet e fundit në Greqi ka shkuar në 15 pasi trupat e katër personave të konsideruar më parë të zhdukur u gjetën të dielën.

Tre prej trupave u gjetën në fshatra pranë qytetit të Karditës në Thesalinë perëndimore. Bëhet fjalë për një grua 88-vjeçare dhe djalin e saj 65-vjeçar, të cilët u gjetën në shtëpinë e tyre, si dhe një 58-vjeçar, trupi i të cilit u gjet mes dy fshatrave.

Roja bregdetare tha të dielën se trupi i një 42-vjeçari, i zhdukur që nga e marta, u gjet duke lundruar në det pranë qytetit të Volos. Ai u pa për herë të fundit në makinën e tij në pamundësi për ta kontrolluar atë në ujërat e furishëm.

Shërbimi zjarrfikës i Greqisë tha se që nga përmbytjet që goditën Greqinë qendrore të martën, ka evakuuar rreth 3,500 njerëz.

Përpjekjet e shpëtimit ende vazhdojnë.

Përmbytjet duket se janë ulur, megjithëse lumi Pineios, rruga kryesore ujore në Thesali, po ngrihet në grykën e tij, tha të dielën në mbrëmje zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Yiannis Artopios.

Roja bregdetare tha se shpëtoi 335 persona të bllokuar në gadishullin e Pelionit midis të enjtes dhe të shtunës.