MENU
klinika

Njohje të Kosovës së pavarur dhe sovrane

Plani i ri i Albin Kurtit për vitin 2024

05.09.2023 - 10:26

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç takohen në 14 shtator në Bruksel, e konfirmuar kjo nga kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell, dhe i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e këtë radhë, duket se ka shpresa për kthesë nga ana e të dy liderëve, që kanë vazhduar t`i qëndrojnë me kokëfortësi pozicioneve të tyre. Analisti Dorajet Imeri ka zbuluar ditën e djeshme prapaskena të bujshme. Sipas tij Kurti do të përpiqet të paraqesë në Bruksel idenë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qendër njohjen reciproke duhet të arrihet gjatë vitit të ardhshëm në takimin me presidentin serb. Imeri tha se në fokus të takimit të 14 shtatorit do të jetë marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, si dhe do të diskutohet për situatën në veri të Kosovës dhe se do të kërkohet zëvendësimi i kryetarit dhe mbajtja e zgjedhjeve. “Ai takim është vazhdimësi e përpjekjeve të ndërmjetësuesit për të gjetur një zgjidhje që do të ishte e nevojshme për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më saktësisht për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe më pas në Ohër”, ka shtuar Imeri. Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve në veri do të përcaktojë dinamikën e dialogut. “ Çdo shtyrje e zgjedhjeve do të përcaktojë edhe dinamikën e marrëveshjes. Nga ana tjetër, kryeministri Kurti do të përpiqet të paraqesë idenë se në vitin 2024 tashmë duhet të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me në qendër njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha Imeri.

Pritet kthesa e madhe

Lajçak u kujdes të takohej në veçanti me secilin prej tyre javën që shkoi, dhe tu rikujtonte se të gjitha marrëveshjet e dialogut janë të vlefshme e duhen zbatuar plotësisht dhe pa zvarritje të mëtejshme. “Në Bled, pata një bisedë me kryeministrin Kurti. Diskutuam mbi përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, me përqendrim tek normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i deklaratës së BE-së të 3 qershorit. Po ashtu kam ngritur shqetësimin rreth situatës në veri të Kosovës”, shkroi Lajçak në Facebook. Nga Bledi, i dërguari i BE-së udhëtoi drejt Beogradit, ku takoi Aleksandër Vuçiç. Ai dha shpjegime edhe për këtë përballje duke treguar se “kishin folur me detaje mbi tentativat për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e gjitha marrëveshjeve të dialogut. “Ua kam kujtuar të dy dyve se ujditë e dialogut duhen implementuar siç janë, pa kushte e pa vonesa”, u shpreh ai. Edhe pse në vetvete e konsiderojnë të mirëpritur një përballje të tillë për dialogun, bindja e tyre është se vonesat në shtensionimin e plotë të situatës në veri dhe në mbajtjen e zgjedhjeve të reja atje, do të zvarrisin edhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e të Ohrit. “Nuk pres që takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç të prodhojë diçka konkrete për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Palët do të vazhdojnë të mbajnë qëndrimet paraprake s’do të ketë lëvizje përpara”, u shpreh analisti Arton Demhasaj. Demhasaj ushqen sidoqoftë një dozë optimizmi e thotë se nëse do të ushtrohet një presion më i madh nga aleatët ndërkombëtarë, SHBA dhe BE po ushtrojnë, do të ketë mundësi që para zgjedhjeve në këto dy vende që do të mbahen vitin e ardhshëm, të arrihet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi. Kujtojmë se takimi i fundit mes dy liderëve ishte majin e këtij viti vetëm pak kohë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, zgjedhje këto të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë. Ai takim, nuk prodhoi rezultate të mëdha, por përballja e radhës zhvillohet në rrethana të reja tashmë, me Prishtinën zyrtare që ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri, është pajtuar për organizimin e zgjedhjeve të reja e ne këto kushte, kërkon nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.