MENU
klinika

“Po mbushet kupa”

Vuçiç, në Bruksel me dosje kundër Kurtit

09.09.2023 - 10:17

Aleksandër Vuçiç do të shkojë në Bruksel, javën e ardhshme, me një dosje kundër Albin Kurtit.

Këtë e bëri të ditur vetë presidenti i Serbisë gjatë një fjalimi drejtuar kombit, duke përsëritur pretendimet dhe akuzat e zakonshme ndaj kryeministrit të Kosovës se ka sulmuar serbët në veri. Vuçiç përmendi rëndësinë e dialogut, por drejtoi gishtin nga Kurti me deklaratën tashmë të vjetëruar se nuk dëshiron zgjidhje të situatës, por konflikt dhe dhunë.

“Po mbushet kupa”, tha presidenti, i cili shtoi se ka bindur serbët të marrin pjesë në dialogun për zgjedhjet në veri të Kosovës, ndërsa njoftoi se institucionet atje nuk do t’i lëshojnë asnjëherë.
“Një ditë pasi Stoltenberg tha se priste konsultime për çfarëdo aksioni të policisë së Prishtinës, ata hynë në fabrikën Lola në Zubin Potok. Ata donin të tregonin se fuqia e tyre nuk ka kufi. Ata vazhduan të arrestonin serbët”, u shpreh presidenti serb Vuçiç.

Vuçiç vazhdoi me pretendimet e tij duke thënë se ushqimet dhe ilaçet në Kosovë po mbarojnë për shkak të mbylljes së kufirit për produktet serbe. Ai bëri me dije se do t’i bëjë apel komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Presidenti serb këmbënguli në synimet e tij për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

“Besoj se Kurti nuk dëshiron zgjidhje të arsyeshme. Nëse më pyesni nëse jam pro asaj që ata e quajnë ‘Serbia e Madhe’, do të them jo, por nëse e pyesni për ‘Shqipërinë e Madhe’ ai nuk do ta mohojë. Ëndrrat tona janë që Serbia të jetë një vend më i mirë për të jetuar dhe ai nuk ka shqetësime të tilla.

Ai nuk është i interesuar se si do të jetojnë njerëzit në Kosovë dhe Metohi, por vetëm për ambiciet dhe synimet personale.”
Vuçiç do të takohet me Kurtin të enjten që vjen në Bruksel me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian.

Ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës dhe zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e raporteve, pritet që të jenë në qendër të diskutimeve.