MENU
klinika

Sulmi terrorist

Policia e Kosovës bastis vilën e Milan Radojiçiç në Ujman

29.09.2023 - 12:00

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot është duke kryer pesë kontrolle në tri komunat në veri të Kosovës.

Mësohet se shënjestër e këtyre kontrolleve është edhe vila e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç.

Vila e tij që ndodhet në Ujman është duke u bastisur prej orës 6:00 të mëngjesit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë.

“Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim”, thuhet në njoftim

Këto urdhër kontrolle, janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

Milan Radojiçiç, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka qenë pjesë e grupit terrorist i cili të dielën që lamë pas vrau një polic në Banjskë të Zveçanit.

Pas këtij rasti, Policia ndërmori një aksion për të neutralizuar këtë grup i cili ishte strehuar në Manastirin e Banjskës.

Nga ky aksion mbetën të vrarë tre terroristë.