Publicisti Preç Zogaj teksa ka komentuar çështjen Beleri, ka folur mbi presionet nga ana e Greqisë për lirimin apo lejimin e betimit të tij si kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës.
Ai tha se kjo është një çështje e drejtësisë dhe nuk mund të ndërhyhet brutalisht për shkaqe politike.
“Unë jam një mbështetës konstant i drejtësisë së re dhe do vazhdoj të jem. Është institucioni pararojë sot në Shqipëri që premton të shkruajë historinë e re të sundimit të ligjit në Shqipëri dhe të luftës kundër pandëshkueshmërisë. Nga kjo pikëpamje jam plot besim te drejtësia. Nuk mund të ndërhyhet brutalisht për shkaqe politike që lidhet me presionet e Greqisë. Është një çështje e drejtësisë dhe drejtësisë do t’i besojmë deri në fund. Unë mendoj që do zgjidhet dhe duhet të zgjidhet nga drejtësia çështja Beleri”, tha Zogaj.
Ai theksoi se Greqia nuk mund të bllokojë integrimin në BE të Shqipërisë, pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme.
“Përveç kësaj Himara është Shqipëri dhe do vazhdojë të jetë Shqipëri. Ka një pakicë greqishtfolësish, por askujt nuk duhet t’i shkojë në mend që të shkaktojë gjullurdi. Ne e dimë minoritetin grek ku është dhe do vazhdojmë ta respektojmë. Nuk ka pasur ndonjëherë Shqipëria probleme me trajtimin e minoriteteve. Janë vendet fqinje që kanë pasur sjellje turpi. As do ketë ndonjë pasojë Shqipëria nga çfarë thotë Athina, por kjo nuk do të thotë që duhen shkelur të drejtat e askujt. Nuk mund të përdorë veton Greqia për të penguar një vend. Nuk mund të bllokojë integrimin në BE”, tha Zogaj në “News 24”.