Muajt e fundit të drejtimit të shtetit amerikan nga presidenti Biden po na përshfaqin një shtet sa potent por edhe të brishtë, që po kalon mirëfilli në një dekadencë demokratike. Gjithnjë e më shumë po sfidohet, por të mjafton të shikosh përballjet e brendshme për të kuptuar se modeli amerikan i dikurit, tashmë është një kujtim i bukur i së shkuarës, ku ne idealizonim çdo gjë prej saj. Demokracia globale goditjen më të madhe duket hapur që po e merr nga dy vende tejet autoritare: Kina dhe Rusia e kanë bërë edhe më të lodhshme perceptimin për vetë parimet e demokracisë. Ato po e sfidojnë hapur me të gjithë forcën e tyre, veçanërisht Kina me fuqinë ekonomike dhe Rusia me sfidën ushtarake të pashembullt në Evropë.
“Shtete të tjera autokratike, si Irani, Arabia Saudite dhe Venezuela, kanë zgjeruar gjithashtu në periudha të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit përpjekjet për të ndikuar në trajektoren politike të disa prej fqinjëve të tyre, zakonisht me qëllime dhe efekte antidemokratike”, shkruan Thomas Carothers për këtë temë tek artikulli “Is the Global Tide Turning in Favor of Democracy?”
Në një logjikë po të artikullshkruesit ekzistojnë tre udhë, ku mund të shikohet se recesioni demokratik po merr fund ose më saktë, se ku mund të gjykohet se ka gjasa për ndryshime. E para, kur një numër i konsiderueshëm i vendeve në zhvillim dhe disa vendeve postkomuniste, ku tentativat për tranzicione demokratike dolën jashtë trasesë, do arrijnë të gjejnë rrugë të reja, disi më produktive përpara tyre. E dyta, kur Demokracitë e pasura të konsoliduara i vënë partitë dhe politikanët joliberalë në mbrojtje dhe riangazhohen në mënyrë domethënëse me qytetarët e pakënaqur duke ofruar shpresë dhe rezultate ekonomike në vend të stanjacionit dhe pasigurisë, duke arritur konsensus produktiv mbi çështjet përçarëse sociale dhe duke krijuar zgjidhje për t’i bërë teknologjitë e reja të kohës që të përforcojnë më shumë sesa të prishin kohezionin shoqëror. Dhe, e treta, kur Fuqitë e mëdha Autokratike të përballen me kufizime të vështira në përpjekjet e tyre për të nënvlerësuar demokracinë përtej kufijve të tyre dhe të përjetojnë konkurrencë të vërtetë ndaj përpjekjeve për të shërbyer si modele alternative ndaj demokracisë liberale. Të tre këto vëzhgime hidhen nga artikullshkruesi i mësipërm, që referon dhe tre shembuj për secilin rast. “Lajmet e ndryshme të kohëve të fundit të mira mbi demokracinë i prekin të tre këto kategori. Përmbysja nga Brazili e një njeriu të fortë populist është një shembull i të parit, humbja elektorale e disa politikanëve antidemokratë në Shtetet e Bashkuara një shembull i të dytit dhe koalicioni i fortë i vendeve që mbështesin Ukrainën kundër agresionit rus një shembull i të tretit”, shpjegon Thomas Carothers në artikullin e mësipërm.
Po Shqipëria jonë? Qeverisja aktuale Socialiste ka treguar handikapë të mëdha drejtimi dhe një qeverisje të veshur me një korrupsion jashtëzakonisht të madh. Po të futemi në narrativën “normale” vendase do të ishte që SPAK-u ka goditur vetëm Majtas. Por, e vërteta, është se ky institucion po merret më shumë me Fuqinë dhe më pak me ish-Fuqinë.
Dhe, vërtetë në premtimet e mandatit të parë të PS-së dhe ekipit të saj qeverisës, që drejtohet veç nga Rama ka handikapë të mëdhenj. Në një shkrim të pak orëve më parë, analisti Dervishi sillte për publikun premtimet e pambajtura të socialistëve, listuar qysh në mandatin e parë: “ZERO taksë për miellin, qumështin, bukën, vezët, ilaçet; Ç’montim i monopolit dhe kartelit të grurit, sheqerit, orizit, vajit, barnave, karburanteve; Ujë i pijshëm për të gjithë!; Zgjerimin e mëtejshëm të Portit të Durrësit; Pensione jo më të ulta se 40% e pagës mesatare!; Buxheti arsimit 5%; Fond për strehim të përballueshëm.; Miratim legjislacioni që të rrisë afatin e garancisë për blerjen e produkteve të reja elektronike, elektron shtëpiake dhe produkte të tjera të kushtueshme për familjet; Do ta kthejmë Kuvendin nga një institucion monokratik ku ratifikohen vendimet autokratike të qeverisë, në qendrën e gravitetit politik e vendim marrës për Shqipërinë; Dhe qershia mbi tortë: Lufta ndaj korrupsionit, kapjes shtetit dhe krimit të organizuar
Socialistët e sotëm e kanë provuar si pak kush një postulat të gazetarit Montanelli, kur shprehej me anë të një pyetje retorike: “Si ka mundësi që sa herë vinë Të majtët në pushtet bëhemi më të varfër?!”
Ironia ishte se në programin e dikurshëm të socialistëve besohej se: të qenit i varfër nuk do të thotë as të jesh fatkeq, as të jesh i paaftë, po të kesh një qeverisje të keqe!!!”
Duke u kthyer në logjikën tonë për recesionin e demokracisë, mund të themi se: Shqipëria bën pjesë në atë hulli të vendeve të dala nga socializmi dogmatik, që po shkon drejt një pushteti autokratik në mungesë të dukshme të ofertave politike; në një kalcifikim të demokracisë së brendshme të partive politike, ku ajo që po ndodh me demokracinë e Partisë Demokratike është e paimagjinueshme për një demokraci normale; në pamundësinë e institucioneve të pavarura për të performuar si të tilla; në një media gjithnjë e më shumë problematike; mungesën e përfaqësimit të grupeve të pavarura civile; struktura zgjedhore gjithnjë e më shumë demokratike dhe të pavarura dhe një element, që ndoshta ia vlen për t’u këshilluar në të ardhmen: “kultivimi i oazeve të inovacionit prodemokratik në nivel lokal dhe provincial” dhe një drejtësi të pavarur dhe shumë efektive. Pak a shumë, Carothers i referon si fenomen për demokracinë e sotme në shumë nga vendet që e mëtojnë atë.
…
Për fat të keq, demokracia në Shqipëri dhe në Ballkan jo vetëm lë për të dëshiruar por i ka bërë njerëzit që ta braktisin në masë vendet e tyre për shkak të mungesës së shpresës. Modelet e prekshme të demokracisë dhe rrugët drejt e tek to janë “të vështira” për t’u ndjekur nga qeveritarët dhe politikanët tanë, kurse recesioni demokratik është ende para syve. Ndoshta ia vlen një mbyllje optimiste, por në rastin e Shqipërisë është disi e pamundur, ku gjithsesi duke iu referuar burimit të mësipërm që mëton për shpresë: “Pavarësisht disa arritjeve të fundit demokratike, është shumë herët për të deklaruar se recesioni demokratik global ka përfunduar. Tejkalimi i rrënjëve të thella të problemeve globale të demokracisë do të kërkojë përpjekje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë demokraci të tjera për të adresuar një mori sfidash të vazhdueshme” (Ibid). Shqipëria do ta ketë të vështirë të rreshtohet mes tyre, jo thjesht nga niveli i demokracisë, por nga mungesa e predispozita e politikanëve të saj, që tashmë kanë prishur çdo ekuilibër normal demokratik në vendin tonë, duke shmangur ideologjitë nga të cilat duhen drejtuar dhe duke lënë si primar interesat e grupeve të fuqishme ekonomike, forca e të cilave shikohet me pushtetin që kanë deri në parlament. Ndaj, recesioni botëror i demokracisë, për Shqipërinë është “ngushëllues”, pikërisht prej amullisë tonë demokratike. (Homo Albanicus)