MENU
klinika

Bllokimi i projektligjit

Rritja e pagave për anëtarët e “Kushtetueses”, peng në Kuvend

17.09.2023 - 16:50

Bllokimi i projektligjit për rritjen e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka rindezur debatet mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament. Ish-nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku thotë se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë cenon pavarësinë e këtij institucioni dhe nuk ka lidhje me reformën në drejtësi. Ajo thekson se Gjykatat Kushtetuese mund t’i depozitojë kërkesat e saj për buxhetin në Komisionin e Ligjeve.

“Si institucion kushtetues, Gjykata Kushtetuese i dorëzon të gjitha kërkesat për buxhet në Komisionin e Ligjeve në parlament. Në teori nuk duhet të ketë varësi nevoje me asnjë institucion tjetër. Megjithëse Gjykata Kushtetuese ka një marrëdhënie të qartë me Kuvendin ajo prapë ka vendosur t’i bëjë një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, pra ekzekutivit. I ka kërkuar qeverisë që t’i kërkojë Kuvendit t’i rritet paga anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, është qeveria që po propozon t’i rriten pagat Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar rëndë si pavarësinë, por dhe balancën e pushteteve.”

Tabaku thotë se rritja pagave për anëtarët e gjykatës kushtetuese krijon disbalancë me gjyqtarët e këtij institucioni dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar, të cilët përballen me vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me korrupsionin në qeveri.

“Ata janë gjykatësit më të kontrolluar e monitoruar. Duke pasur këtë situatë kaq komplekse dhe mbi të gjitha edhe hierarkinë e pagave në këto institucione, duket e padrejtë që Gjykata Kushtetuese të kërkojë vetëm për veten e saj përmes Ministrisë së Drejtësisë rritjen e pagave me 100% më të larta se sa gjyqtarët e GJKKO. Kjo është pandershmëri dhe mungesë serioziteti, pasi kështu prishen të gjitha parimet me të cilat është ndërtuar Reforma në Drejtësi.”

Pavarësisht se shumica e opozitës është kundër, Lulzim Basha ka vendosur që votën e tij dhe deputetëve që e mbështesin ti bashkojë me PS. Basha deklaroi se është pro rritjes së pagave të gjytarëve, pasi sipas tij, forcon pavarësinë e këtij institucioni. Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar kërkesën për rritjen e pagave, si një përpjekje të qeverisë për të blerë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.