MENU
klinika

Statistikat e Censusit

Sa grekë ka Konispoli e Himara dhe si i “shton” Greqia!

19.09.2023 - 12:47

Sa grekë pretendon pala shqiptare dhe pala greke dhe sa vetidentifikohen grekë në Himarë dhe Konispol? Rezulton statistikisht e pamundur të vetidentifikohen si grekë më shumë se 14.5% në Himarë dhe 13% në Konispol nga 2.36% dhe 7.44%, që njihen si minoritarë.

Vetëdeklarimi i rremë në Xarrë në censusin 2011, si nisje e tentativës për tejkalimin e 20% grekëve përmes presioneve, pensioneve dhe shtetësive, që të shpallet Himara dhe Konispoli bashki minoritare. Gazeta “Panorama” boton në katër numra vijues pjesë nga libri i autorit Ardit Bido “Beteja për 20 përqindëshin: Fluiditeti etnik, statistikat demografike dhe implikimet politike në Himarë dhe Konispol”, që do të botohet ditët në vijim.

******

NGA ARDIT BIDO

Nga 23 fshatrat që përbëjnë Himarën, katër prej tyre: Himara, Dhërmiu, Gjileka dhe Palasa, në origjinë janë greqishtfolëse, që zakonisht kategorizohen në tri fshatra, ku Gjileka vlerësohet si lagje e Dhërmiut. Mirëpo, edhe në këtë rast, kemi të bëjmë me një fluiditet të identitetit etnik, teksa një pjesë e mirë e dokeve, zakoneve, traditave të këtyre fshatrave janë të njëjta me ato të Labërisë bregdetare.

HIMARA: 14,5% GREKË ËSHTË MAKSIMUMI I VETIDENTIFIKIMIT

Vajet e ceremonive mortore janë në shqip. Po ashtu, ceremonitë e martesave dhe vdekjeve nuk kanë ndryshim nga fshatrat shqipfolëse përreth. Për më tepër, është e evidentuar që edhe pse një pjesë e fiseve të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës, kanë origjinë greke nga Korfuzi e Stambolli, mjaft të tjera kanë origjinë nga Labëria apo nga zona të tjera të Shqipërisë, ndërkohë që fluiditeti i identitetit shfaqet edhe përpara lindjes së nacionalizmit në Ballkan.

Shteti shqiptar nuk i ka njohur asnjëherë si fshatra minoritare këto tri fshatra, pikërisht për shkak të origjinës së evidentueshme shqiptare të një pjese të mirë të fiseve të atyshme, si dhe të ekzistencës së dokeve e zakoneve shqiptare. Si në çdo zonë me fluiditet të identitetit etnik, është krejt e zakonshme që brenda të njëjtave fise, të kemi degë me qëndrime diametralisht të kundërta. Kështu, brenda fisit Marko gjejmë patriotin shqiptar, Petro Marko, por edhe nacionalistë grekë. Brenda fisit Beleri gjejmë edhe zëdhënësin e palës progreke, Fredi Beleri, edhe zërin e këngëve patriotike të variantit himarjot të këngëve labe, Katina Beleri.

Mirëpo, sa janë realisht me vetidentifikim grek në Bashkinë e Himarës? Për këtë, janë analizuar disa shifra për të dalë në rezultatin më të plotë, duke shqyrtuar shifra të ndryshme, sipas përkufizimeve të ndryshme, nga pretendimi nacionalist shqiptar dhe numri që njeh shteti shqiptar, te pretendimi i shtetit grek dhe ai i nacionalistëve grekë. Në fund, evidentohet numri real i të vetidentifikuarve si grekë.

Pretendimi nacionalist shqiptar është se nuk ka minoritet grek në Shqipëri dhe se të vetidentifikuarit si grekë, përfshi dhe ata që shteti shqiptar i njeh si të tillë, janë në fakt shqiptarë. Prej vitit 2011, shteti shqiptar nuk e njeh më kombësinë në Regjistrin e Gjendjes Civile. Nga të dhënat e analizuara në regjistrin e vitit 2008, rezulton se në Bashkinë Himarë janë 2,59% e individëve që kanë kombësi greke, të njohur zyrtarisht nga shteti shqiptar, të përqendruar kryesisht në njësinë administrative Lukovë. Shifra më e lartë i përket fshatit Shën Vasil, ku ka disa familje me origjinë nga zona e Vurgut të Sarandës, që përbëjnë rreth 11,67% të fshatit. Mirëpo, në shifrën prej 2,59% nuk përfshihen banorët me vetidentifikim grek në Himarë, Dhërmi dhe Palasë, ku sipas Regjistrit të Gjendjes Civile janë 1,53% në Himarë, 1,14% në Dhërmi dhe nën 1% në fshatrat Gjilekë dhe Palasë.

Në censusin e vitit 2011, që siç do të shohim më poshtë, në zonën e Himarës nuk u bojkotua, siç u bojkotua në Finiq dhe në Dropull, 11,25% e popullsisë deklaroi si gjuhë amtare gjuhën greke dhe 11,6% deklaroi kombësi greke. Prej tyre, në njësinë Administrative Himarë, 24% deklaruan kombësi greke dhe 29% gjuhë amtare greke. Nga të dhënat e censusit të vitit 2011 dhe analizat historike e demografike, rezulton se nga tri fshatrat greqishtfolëse të zonës dhe minoritarët e njohur zyrtarisht nga shteti shqiptar, kanë origjinën 19% e popullsisë banuese së Bashkisë Himarë. Ndërkaq, nëse do të aplikojmë të dhënat e viteve ’30, në raportet e parashtruara nga inspektorët e zonës, rezulton se pasardhës të pendëbardhëve dhe pasardhës të minoritarëve grekë në zonën e Himarës, janë rreth 14,5%.

Siç shihet, shifra e pasardhësve të pendëbardhëve dhe minoritarëve është thuajse e njëjtë me ata që janë deklaruar si grekë në censusin e vitit 2011, nëse shifra e të vetëdeklaruarve do të korrektohej për numrin e banorëve që nuk kanë deklaruar etninë, korrektim që e çon numrin e të vetidentifikuarve në 14,7%. Kjo shifër konfirmohet edhe nga teoria që përcakton se variacioni mes vetëdeklarimit dhe vetidentifikimit të një pakice, shkon deri në 80% të të vetidentifikuarve që vetëdeklarohen në census si pjestarë të pakicës.

Shifra totale e popullsisë me origjinë greqishtfolëse është në përputhje edhe me trendet historike e demografike të zonës. Të dhënat e censuseve të viteve 1923 dhe 1945 janë të një rëndësie të veçantë për të evidentuar numrin e greqishtfolësve të Himarës. Në censusin e vitit 1923 nuk kemi të dhëna mbi gjuhën ose etninë, duke qenë se vendbanimet ishin ende homogjene. Ndërkaq, në censusin e vitit 1945 ka pyetje mbi gjuhën amtare, të cilat shteti shqiptar i regjistroi si evidentim kombëtar, duke i cilësuar grekë të gjithë greqishtfolësit, përfshi edhe pendëkuqtë, pra ata që kishin vetidentifikim shqiptar. Kështu, në vitin 1923, në Njësinë Administrative Himarë, greqishtfolësit përbënin 53,49% të banorëve dhe shqipfolësit 46,51%, ndërsa në vitin 1945, greqishtfolësit ishin 63,5%, kurse shqipfolësit 36,5%, për shkak të rënies drastike të numrit të banorëve të fshatrave Vuno dhe Qeparo. Në totalin e vendbanimeve që përbëjnë sot Bashkinë Himarë në censusin e vitit 1923, shqipfolësit përbënin 77,02% dhe greqishtfolësit 22,98%, ndërsa në censusin e vitit 1945, shqipfolësit ishin 71,88% dhe greqishtfolësit 28,11%. Këto të dhëna vërtetojnë shifrën prej 19% të përcaktuar më sipër, si totali i popullsisë me origjinë greqishtfolëse, kur marrim parasysh popullsitë shqiptare të emigruara nga treva të tjera të zonës së Sarandës dhe Delvinës, por edhe hapësira të tjera të Shqipërisë që kanë themeluar, zgjeruar ose janë në numër të madh në vendbanime të krijuara pas vitit 1945, si Himara qytet (Spilleja), Qeparoi Fushë, Qazim Pali, apo kanë shtuar popullsinë e kooperativave bujqësore të kohës, veçanërisht në Shën Vasil, Lukovë dhe Borsh. Popullsia shqiptare e migruar e tejkalon shumën e kombinuar të uljes së popullsisë në Horë-Vranisht dhe atë prej 2,59% minoritarë që njeh shteti shqiptar dhe janë në fakt të ardhur nga fshatrat minoritare të Sarandës dhe Delvinës, në kuadër të këtij shtimi të popullsisë së zonës pas vitit 1950, duke kthyer raportet e popullsisë në origjinën e para viteve ’20.

Studiuesi grek Leonidas Kalivretakis, në studimin e tij të vitit 1995, “Komuniteti grek në Shqipëri nga këndvështrimi i gjeografisë dhe demografisë historike”, bën një analizë të detajuar të përbërjes etnike të zonës në vitin 1993. Kalivretakisi shkruan se grekët në njësinë e sotme administrative Lukovë ishin 490 në vitin e studimit, nga një popullsi totale prej 8461 banorësh ose 5,79%. Kjo shifër është thuajse e njëjtë në çdo rast brenda marzhit të gabimit me të dhënat e Regjistrit të Gjendjes Civile, por edhe me vetëdeklarimin e etnisë në censusin 2011 për ish-komunën Lukovë. Për njësinë administrative Himarë, Kalivretakisi përcakton si minoritare greke, tërësinë e fshatrave Himarë, Dhërmi, Gjilekë, Palasë dhe Qeparo Fshat. Qyteti i Himarës (Spilleja), sipas tij, përbëhej nga 3629 banorë dhe kishte shumicë greke, më pas vijnë ortodoksë shqiptarë dhe në fund, rreth 1000 myslimanë shqiptarë. Duke marrë minimumin dhe maksimumin e studimit të Kalivretakisit, njësia administrative Himarë kishte 50,7% deri në 53,7% grekë.

Studiuesi grek Lambros Balciotis jep shifra të përafërta për përbërjen gjuhësore në vitin 1997. Ai përcakton se të gjitha fshatrat e Njësisë Administrative Lukovë janë me shumicë shqipfolëse, ndërsa prania greqishtfolëse në to është “e vogël” në Shën Vasil, “shumë e vogël” në Lukovë dhe Piqeras dhe “tejet e vogël” në Nivicë, në të njëjtat të dhëna me Kalivretakisin dhe Regjistrin e Gjendjes Civile. Në ndryshim nga Kalivretakisi, ai nuk shkruan për etninë, por për gjuhën, dhe përcakton se Himara Fshat, Dhërmiu dhe Palasa janë greqishtfolëse, me një popullsi totale prej 3501 banorësh, ndërsa Qeparoi Fshat, Qeparoi Fushë, Kudhësi, Piluri dhe Vunoi janë shqipfolës, me një popullsi totale prej 3150 banorësh. Ndërkaq, sipas tij, Spilleja (qyteti i Himarës) ka ? të popullsisë shqipfolëse nga 3629 banorë në total. Në përllogaritjen totale të tij, greqishtfolësit e Njësisë Administrative Himarë përbëjnë 55% të popullsisë.

Kjo e dhënë e aplikuar në popullsinë e sotme banuese të Bashkisë Himarë, bazuar mbi trendet demografike emigruese, shkon në një total prej 20,5-22% në totalin e Bashkisë së re Himarë. Edhe pse ky studim është ndër të paktët që janë më afër realitetit të përbërjes së zonës, shifra e mësipërme duhet të merret me rezerva. Kjo, pasi mospërputhja mes shifrave 14,5% që rezulton për sa më sipër të jetë numri i të vetidentifikuarve si grekë, apo 19% që është numri total i popullsisë me identitet fluid të zonës dhe maksimumi prej 21,5% që përcakton Kalivretakisi, vjen nga fakti që ai bën një përgjithësim të gabuar për fshatrat Himarë, Dhërmi dhe Palasë, pasi nuk merr parasysh vetidentifikimin si shqiptarë të një pjese të banorëve të tyre, si dhe përfshin Qeparoin Fshat, pavarësisht se ai nuk është as greqishtfolës dhe as ka fluiditet të identitetit etnik. Ndërkaq, Balciotisi, që trajton vetëm folësit e gjuhës dhe jo identitetin e tyre, ka nënvlerësim përkundrejt Kalivretakisit të shqipfolësve të Spillesë dhe nuk ka përfshirë fshatin shqiptar pa fluiditet të identitetit etnik të Iliasit.

Trendi i mësipërm konfirmohet, po ashtu, edhe nga rezultatet zgjedhore të kandidatit për kryetar të Bashkisë Himarë, Vasil Bollano, përgjatë gjithë viteve që ka kandiduar, ku votat i merrte në masë disproporcionale në Himarë, Dhërmi dhe Palasë. Së fundmi, kjo shifër është në të njëjtin trend edhe me votat e marra nga kandidati Fredi Beleri në zgjedhjet e vitit 2015, me përjashtim të fshatit Nivicë, që ka specifikën e vet të trajtuar më poshtë në votën elektorale për PBDNJ-në, të palidhur me vetidentifikimin etnik.

Po ashtu, prej vitit 1991 e deri më sot, PBDNJja, si parti që merr votat kryesisht të minoritetit grek, është forcë që ka bastion vetëm fshatrat Himarë dhe Dhërmi e më pak Palasën në ish-Bashkinë e Himarës. Partitë e pakicës greke marrin pakicën e votave në minoritetin grek në zonën e Finiqit dhe të Dropullit, ku partitë e mëdha shqiptare marrin, si rregull, shumicën e votave. Mirëpo, kur vjen fjala për hapësirat me fluiditet të identitetit etnik, ato dominojnë votën e të vetidentifikuarve. Sipas studiuesit grek, Lambros Balciotis, kjo vjen si pasojë e investimit të lartë politik të shtetit grek në Himarë dhe te kuçovllehtë dhe mënjanimit të Greqisë nga zonat kompakte të minoritetit, e jo vetëm si çështje e rritjes së antagonizmit kombëtar në këto hapësira. Prandaj janë përfshirë si tregues, votat e PBDNJ-së dhe MEGAs në Himarë dhe në Konipsol. Në të dhëna makro, këto të dhëna rrëfejnë një përputhje mes popullsisë që sipas çdo statistike rezulton e vetidentifikuar si greke dhe votat që shkojnë për këto parti. Kjo nuk do të thotë se PBDNJ-ja dhe MEGA marrin të gjitha votat e personave të vetidentifikuar si grekë në këto zona, pasi një pjesë e tyre votojnë partitë shqiptare. Por, njëherazi, persona të vetidentifikuar si shqiptarë, i votojnë këto parti, thuajse në të njëjtat përmasa siç të vetidentifikuarit grekë votojnë ato shqiptare, teksa këto parti janë një faktor real në politikën vendore, për shkak të prezencës së lartë të elektoratit të tyre tradicional.

Për të vërejtur përputhjen mes vetidentifikimit dhe votave të këtyre partive, na shërben rasti i Himarës, ku fluiditeti është në tri fshatra dhe jo në popullsinë vllahe të shpërndarë në disa fshatra, si në rastin e Konispolit. Kështu, PBDNJ-ja është mbizotëruese në Himarë dhe Dhërmi dhe ka peshë të theksuar edhe në Palasë, por merr pak vota në fshatrat shqiptare pa fluiditet të identitetit në zonës. Si shembull, në zgjedhjet e vitit 2013, që janë të fundit ku partitë e pakicave mund të votoheshin drejtpërdrejt, votat e PBDNJ-së dhe MEGA-s, nuk i tejkalonin 10% në Vuno, Pilur apo Qeparo, por në qendrat e votimit në Himarë e Dhërmi, arrinin deri në 46,6% dhe 32% përkatësisht. Për më tepër, votat që ato morën ishin të përqendruara në njësinë administrative Himarë dhe thuajse inekzistente në Vranisht. Në Lukovë, ku ato shkonin në 8,9%, ka për shpjegim votën e protestës, që prej vitesh, banorët e fshatit Nivicë bëjnë ndaj partive të mëdha, duke votuar PBDNJ-në, si pasojë e çështjes së pronave në plazhin e Kakomesë. Nëse votat e këtij fshati do të shkonin në analogji me votat e tjera të komunës, Lukova do të kishte 6% të votave për partitë minoritare, në përputhje të plotë me të dhënat e censusit, me Regjistrin e Gjendjes Civile dhe me të gjitha analizat më sipër. Me të njëjtën analizë, vota totale për partitë e pakicave do të ishte 14% në rang bashkie.

Pretendimet e shtetit grek shkojnë nga ana tjetër, në 35% që përbën totali i fshatrave Himarë, Dhërmi, Palasë, Qeparo Fshat, që shteti grek i njeh si minoritet, krahas numrit të banorëve të fshatrave të tjera ortodokse të bashkisë që i ka pajisur me leje qëndrimi homogjeni në Greqi e që duket se është edhe pretendimi i Omonias dhe PBDNJsë. Ndërkaq, pretendimi nacionalist grek shkon deri në 60%, që është numri i ortodoksëve në Bashkinë Himarë, çka shqiptohet nga qarqet ekstreme nacionaliste greke si Agimi i Artë. Ky pretendim shfaqet pjesërisht në zonë nga Kisha Ortodokse (KOASH), që drejtohet nga mitropoliti i Gjirokastrës, i cili është shtetas grek dhe kryesohet nga kryepeshkopi Anastas Janullatos. Prej vitit 1991, KOASH-i mban meshat, si dhe predikimet në greqisht, në territorin e ish-Bashkisë Himarë dhe vitet e fundit i ka tabelat në greqisht, pavarësisht se shumica e fshatrave ortodokse të zonës janë shqipfolëse dhe tri fshatrat tanimë janë dygjuhëshe.

Të dhënat e mësipërme rrëfejnë se edhe në rastin e Himarës, sikurse në shumicën e rasteve me identitet fluid, sidomos në zona kodrinore-malore, vetidentifikimi nuk ndryshon në mënyrë drastike, çka përputhet tërësisht me teoritë shkencore mbi pakicat. Nisur nga sa më sipër, shifra maksimale e vetidentifikimit grek në Bashkinë e Himarës është 14,5%, nga një popullsi prej 19% me identitet fluid, përkundrejt pretendimit shqiptar se është 2,59% dhe pretendimit grek se është 35%.

KONISPOLI: 13% GREKË ËSHTË MAKSIMUMI I VETIDENTIFIKIMIT

Bashkia e Konispolit që qëndron në jug të Shqipërisë, në kufirin me Greqinë, dhe përbëhet nga shqiptarë të Çamërisë, ndahet në tri njësi administrative: Konispol, Markat dhe Xarrë. Nga këto, ish-Komuna Xarrë ka katër vendbanime me shumicë ortodokse: Xarrë, Mursi, Vrinë dhe Shkallë dhe një me shumicë katolike të krijuar pas viteve ’90 nga të ardhurit nga veriu i vendit, Shëndellinë. Ndërkaq, në ish-Bashkinë Konispol, krah qytetit, është fshati Çiflik me shumicë shqiptare dhe pak grekë e vlleh. Në këto fshatra, historikisht popullsia ka qenë tërësisht shqiptare, teksa si grekët, ashtu edhe kuçovllehtë, janë vendosur pas viteve ’50.

hqiptar është se nuk ka minoritet grek në Shqipëri. Shteti shqiptar, bazuar në Regjistrat e Gjendjes Civile, ka njohur si popullsi minoritare greke në këtë zonë 7,44% të banorëve të përqendruar në Vrinë, dhe më pak në Xarrë dhe Mursi, si dhe 0,89% rumunë (si kombësi për grupin etnik të vllehve), me përqendrim më të lartë në Xarrë dhe Shkallë, me 3,87% dhe 3,59% përkatësisht. Ndërkaq, të dhënat e censusit të vitit 2011 tregojnë për 5,65% të popullsisë që ka deklaruar gjuhë amtare gjuhën greke dhe 93,23% të popullsisë që ka deklaruar gjuhë amtare gjuhën shqipe, përfshi këtu 88,46% të njësisë administrative Xarrë.

Në studimin e sipërcituar të Leonidas Kalivretakisit, rezulton se në vitin 1995, kur kishte nisur emigracioni i shqiptarëve, fshati Xarrë përbëhej nga 1833 shqiptarë ortodoksë, 200 shqiptarë myslimanë dhe 50 grekë/vlleh. Fshati Vrinë përbëhej nga 400 shqiptarë myslimanë, 318 shqiptarë ortodoksë dhe 300 grekë, fshati Shkallë përbëhej nga 619 banorë me shumicë absolute vllahe dhe pakicë shqiptare myslimane e më pak grekë. Fshati Mursi kishte shumicë absolute shqiptare ortodokse me pakicë shqiptare myslimane dhe pakicë edhe më të vogël greke dhe popullsi totale 1984 banorë, ndërsa fshati Çiflik ishte i përzier me shumicë relative shqiptarësh ortodoksë, dhe pakica vllahe, më pak shqiptarë myslimanë dhe në fund grekë, me popullsi totale 525 banorë. Në studimin e Kalivretakisit në zonën e ish-Komunës Xarrë, shqiptarët ishin shumicë me 75,21% deri në 79,39%, grekët varionin nga 11,64% deri në 15,92% dhe vllehtë varionin nga 8,97% deri në 9,88%. Në fshatin Çiflik të njësisë administrative Konispol, nëse marrim për bazë renditjen e grupeve etnike bazuar në etni sipas Kalivretakisit, shqiptarët varionin nga 50% në 70%, grekët nga 8% në 24% dhe vllehtë nga 21% në 41%. Në total të Bashkisë së sotme të Konispolit, kjo do të korrespondonte me popullsi greke nga 6,8% në 9,2% dhe popullsi vllahe nga 6% në 7,5%.

Në një studim të kryer në vitin 1995, studiuesi britanik dr. Tom Uinifrith, evidentoi në terren që vetëm Shkalla kishte shumicë vllahe me pak shqiptarë. Uinifrith, i cili shpesh e shton numrin e vllehve në zonat që studion, teksa përfshin edhe individë me prejardhje vllahe, pavarësisht se ata nuk e kanë identitetin, gjuhën apo zakonet, parashtron se vllehtë në Shkallë ishin 70% dhe shqiptarët 30%. Sipas tij, raportet mes shqiptarëve dhe vllehve ishin kahkundërt në Xarrë, ku jetonin edhe pak grekë, ndërsa Mursia ishte fshat ortodoks shqiptar me pak grekë dhe pak vlleh. Në analizë të të dhënave të prezantuara nga Uinifrith, në njësinë administrative Xarrë, shqiptarët përbëjnë 70,6% të popullsisë, grekët 11,6% të popullsisë dhe vllehtë 17,7% të popullsisë. Në rang të Bashkisë Konispol, kjo shifër do të korrespondonte me 83,3% shqiptarë, 6,3% grekë dhe 10,3% vlleh.

Mospërputhja e shifrës së nxjerrë prej Uinifrithit dhe të dhënave të vjela nga Regjistri i Gjendjes Civile, si dhe të evidentuara nga Kalivretakisi për popullsinë greke dhe vllahe, vjen prej faktit se Uinifrithi kategorizon si vllahe edhe popullsinë minoritare të Xarës, që Regjistrat e Gjendjes Civile e evidentojnë si greke. Uinifrith ka një bazë teksa mbiemrat e personave të regjistruar si grekë në Xarë, rrëfejnë për prejardhje vllahe, mirëpo procesi i stabilizimit të identitetit kombëtar në këtë fshat, duket se ka përfunduar përpara viteve ’90. Nëse shifrës së vjelë prej Uinifrithit për popullsinë greke, do t’i shtojmë pjesën me origjinë vllahe të Xarrës që janë të regjistruar si minoritarë grekë në Regjistrat e Gjendjes Civile (rreth 12%), atëherë popullsia greke do të shkonte në rreth 7,5%, në përputhje të plotë me shifrën e Kalivretakisit dhe me Regjistrin e Gjendjes Civile. Ndërkaq, shifra e vllehve etnikë do të binte në 9%. Ndërkohë, në shifrat e ofruara nga Kalivretakisi, rezulton një nënvlerësim i numrit të minoritetit grek për fshatin Xarrë.

Këto të dhëna konfirmohen edhe nga studimet e autorëve të tjerë. Studiuesja greke, Georgia Kretsi, po ashtu, parashtron se fshati Mursi është njëfarësh shqiptar ortodoks, me pak grekë. Ndërsa fshati Xarrë është i përzier mes shqiptarësh ortodoksë në shumicë relative, shqiptarësh myslimanë, vllehsh, romësh dhe grekësh. Edhe studiuesi Fatos Mero Rrapaj, na jep të njëjtat të dhëna për fshatrat e zonës. Ai shënon se Shkalla përbëhet nga 80 familje vllehe dhe 5 shqiptare, ndërsa për fshatrat e tjera, evidenton krahas shumicës shqiptare, disa fise me origjinë greke dhe vllahe. Ndërkaq, Balciotisi që trajton kryesisht gjuhën e folur nga banorët, përcakton se të gjitha këto fshatra, janë shqipfolëse. Sipas tij, greqishtfolësit kanë prani “të rëndësishme” në Vrinë dhe “shumë të vogël” në Mursi, Çiflik, Xarrë dhe Shkallë.

Sa më sipër, të gjitha studimet në këtë territor, e përputhin numrin e pakicës greke me shifrën që rezulton nga Regjistri i Gjendjes Civile, prandaj mund të themi me siguri se minoriteti grek etnik në Bashkinë Konispol, është 7,5%. Kjo shifër përputhet, brenda marzhit të gabimit, apo mosvetëdeklarimit, edhe me shifrën e gjuhës amtare të prodhuar nga censusi i vitit 2011. Po ashtu, të gjithë evidentojnë faktin se fshati Mursi ka shumicë dërrmuese ortodokse shqiptare dhe se fshatrat Vrinë dhe Xarrë kanë popullsi me shumicë shqiptare, ku edhe në radhët e ortodoksëve, shqiptarët përbëjnë shumicë në Xarrë e janë thuajse të barabartë në numër në Vrinë. Popullsia vllahe në zonën e Bashkisë Konispol, bazuar mbi studimet e mësipërme, është brenda diapazonit prej 6% dhe 9%.

Për këtë bashki na mungojnë të dhëna historike që do të na e lehtësonin këtë gjetje. Të dhënat historike të viteve 1923 dhe 1945, nuk shërbejnë për këtë zonë ku popullsia greke dhe vllahe nuk është vendase, por e ardhur. Kështu, nuk ka pasur asnjë grek e vllah në vitin 1923 dhe vetëm 2% në vitin 1945 në rang bashkie dhe në rang të fshatrave që përbëjnë Njësinë Administrative Xarrë. Në radhët e ortodoksëve, shqiptarët përbënin 90% të tyre në rang bashkie dhe 96,5% në fshatrat që përbëjnë Njësinë Administrative Xarrë. Kjo vjen pasi, minoritarët grekë që sot jetojnë të përqendruar në fshatin Vrinë (rreth 30%) dhe më pak në Xarrë e Mursi (rreth 10%) janë me origjinë nga fshatrat e minoritetit që gjenden në Bashkinë Finiq, të zhvendosur gjatë periudhës së regjimit komunist në zonën e Xarrës. Por pas vitit 1950, shteti grumbulloi kuçovllehtë nomadë të zonës së Sarandës dhe Delvinës në kooperativën blegtorale të sapokrijuar, që themeloi edhe vendbanimin Shkallë, e më pak në Xarrë e Çiflik.

Gjithsesi, bashkësia vllahe e Bashkisë Konispol duket se përbën rreth 7,5% të popullsisë, pra po aq sa minoriteti grek, jo thjesht si një mesatare mes Kalivretakisit dhe Uinifrithit, por edhe nisur nga fakti që Kalivretakisi duket se keqevidenton përbërjen etnike të fshatit Xarrë, duke ulur numrin e popullsisë që u përket pakicave, ndërsa Uinifrithi ka tendencën të flasë për prejardhje dhe jo identitet etnik a kombëtar, që na shërben për analizën e fluiditetit.

Çështja komplikohet kur tentojmë të dallojmë sa vlleh kanë vetidentifikim grek. Nëse kuçovllehtë e Bashkisë Konispol do të kishin të njëjtin trend me Bashkinë e Korçës, ku thuajse gjysma e tyre vetidentifikohen kombëtarisht si grekë, një pjesë e mirë si vlleh/arumunë dhe një pakicë si shqiptarë, pakica greke në Bashkinë Konispol do të shkonte në afro 11%, ndërsa ajo vllahe (në nocionin kombëtar) në 3% dhe pjesa tjetër, do të kishte vetidentifikim shqiptar. Nëse marrim për bazë kahjen e rezultateve zgjedhore, që siç u analizua më sipër, përputhet thuajse tërësisht me të gjitha të dhënat e tjera në Bashkinë e Himarës, PBDNJ-ja dhe MEGA kanë marrë bashkërisht rreth 12% të votave në rang të ish- Komunës Xarrë në zgjedhjet e vitit 2013, në të njëjtin raport me minoritetin grek, pa elementin e fluiditetit. Gjithsesi, këto shifra mund të shërbejnë si orientuese dhe mund të përdoren për faktim të mëtejshëm të një shifre të prodhuar me metodologji shkencore, që në rastin konkret është e pamundur, ndaj ato nuk mund të merren për bazë a priori.

E sigurt është se në një popullsi me fluiditet të lartë të vetidentifikimit kombëtar, si ajo e popullsisë me vetidentifikim etnik vllah në Xarrë, asnjë prej tri vetidentifikimeve të mundshme kombëtare nuk mund t’i tejkalojë dy të tretat e grupimit me identitet fluid. Prandaj, shifrat e mësipërme na rrëfejnë se në popullsinë totale greke, vllahe dhe të përzier prej 15% në Bashkinë Konispol, vetidentifikimi maksimal si grekë mund të shkojë deri në 13%, vetidentifikimi kombëtar vllah mund të shkojë deri në 5%, ndërsa të kombinuara, nuk mund t’i tejkalojnë 14%. Nga kjo popullsi, rezulton se greke etnike është 7,5%, përafërsisht në përputhje me shifrat e Regjistrit të Gjendjes Civile dhe me rezultatet e censusit. Ndërkohë që pjesa tjetër është popullsi me origjinë vllahe, që sipas censusit të vitit 2011, rezulton që në masë dërrmuese ka gjuhë amtare gjuhën shqipe.

Këto shifra vijnë tërësisht në kundërshtim me rezultatin e censusit të vitit 2011, për sa i përket vetidentifikimit etnik, ku 53,7% e ish-Komunës Xarrë, që përkthehet në 27,8% të Bashkisë Konispol, deklaroi kombësi greke, çka nuk përputhet me asnjë shifër tjetër, siç u analizua më lart. Për më tepër, kjo shifër nënkupton se 93% e popullsisë ortodokse të zonës është deklaruar si greke, teksa, sipas të dhënave historike, të konfirmuara edhe nga analiza e studiuesit grek Kalivretakis, Uinifrithit dhe Kretsit, 55% e ortodoksëve të zonës janë etnikisht shqiptarë, 22,5% janë grekë etnikë dhe 22,5% janë vlleh etnikë me vetidentifikim fluid kombëtar. Po ashtu, nënkupton se 86% e grekëve të ish-Komunës Xarrë kanë gjuhë amtare shqipen, çka përbën paradoks të konceptit të fluiditetit të identitetit etnik, ku pakica të ketë zotërim dërrmues të vetidentifikimit të folësve të gjuhës së shumicës. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se fshati ortodoks shqiptar i Mursisë apo shumica e ortodoksëve në Xarrë dhe Vrinë që janë shqiptarë, të gjithë vllehtë dhe grekët e zonës, janë vetëdeklaruar grekë. Ky vetëdeklarim, që në bazë të analizës së mësipërme, është dukshëm i rremë, do të shpërblehej një vit më vonë nga shteti grek me përfshirjen e këtyre fshatrave në vendimin e caktimit të fshatrave minoritare në Shqipëri, që u jep kartat greke, pensione greke dhe asistenca të tjera që u takojnë shtetasve grekë.

Shifra prej 27,8% e të vetëdeklaruarve si grekë, i përafrohet pretendimit të shtetit grek se të gjithë ortodoksët e fshatrave Mursi, Xarrë, Shkallë, Çiflik dhe Vrinë janë grekë. Shifra totale e ortodoksëve të këtyre fshatrave është 30,1% e popullsisë së Bashkisë Konispol. Pretendimi nacionalist grek është se kjo bashki ka 31,5% grekë. Ky pretendim përqafohet nga Agimi i Artë dhe përfaqësohet në zonë nga Kisha Ortodokse, që i trajton të gjithë ortodoksët e bashkisë si minoritet, duke mbajtur meshat dhe predikimet në greqisht, pavarësisht se në këtë zonë një fshat ka shumicë vllahe dhe të tjerat shqiptare.

Nisur nga sa më sipër, shifra maksimale e vetidentifikimit grek në Bashkinë e Konispolit është 13%, nga një popullsi me origjinë greke 7,5% dhe vllahe me identitet fluid në masën 7,5- 9,5%, përkundrejt pretendimit shqiptar se është 7,44% dhe pretendimit grek se është 30,1%.

Shënim: Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Titulli i punimit është “Beteja për 20 përqindshin: Fluiditeti etnik, statistikat demografike dhe implikimet politike në Himarë dhe Konispol”. Studimi botohet i pjesshëm, pa citime dhe pa shënimet e autorit në footnote.

*Profesor i asociuar në marrëdhënie ndërkombëtare, me fushë të ngushtë studimi raportet politikë-fe dhe pakica-marrëdhënie ndërkombëtare

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Nga Gjykata presim pezullimin e dënimit me burg”

Avokati i Salianjit tregon gjendjen e deputetit

Kush do ta drejtojë xhaminë më të madhe në Ballkan

Hapet “Namazgjaja”, inaugurohet nga Rama dhe Erdogan!