MENU
klinika

20 mijë euro kush jep informacion

Sapo ishte kthyer nga Italia dhe vuan nga depresioni, zbulohet kush është autori që qëlloi efektivin

20.09.2023 - 22:04

Policia ka identifikuar personin që plagosi efektivin e policisë dhe ka vënë në dispozicion 20 mijë euro për këdo që jep informacion për kapjen e tij. Mësohet se autori është Klerent Bozhanaj, 42 vjeç (Personi në foto). Ai sapo ishte kthyer nga Italia dhe dyshohet se vuan nga depresioni.

Ishte drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ai i cili tregoi me detaje se si u qëllua efektivi. Po ashtu ai tha se autori sapo ishte kthyer nga Italia, ndërsa familjarët e tij kanë njoftuar policinë se ka pasur problem me depresionin.

“Një patrullë policie, duke patrulluar ka konstatuar një qytetar sapo ka parë policët është larguar në mënyrë të dyshimtë. Policët e kanë ndjekur dhe ai ka hyrë në hyrjen e një pallati ku ndodhet banesa e tij. Policët e kanë ndjekur te shkallët dhe ai është përgjigjur me armë. Për pasojë është plagosur një efektiv që ndodhte jashtë rrezikut për jetën. RENEA, policia e Tiranës dhe gjithë forcat e republikës janë mobilizuar për kapjen e autorit, i cili quhet Klerent Bozhanaj i datëlindjes 1981. Theksojmë se është i armatosur dhe ka shenja të theksuara të depresionit.Vazhdojnë veprimet në vendin e ngjarjes. Po komunikojmë me familjarët. Policia vendos 20 mijë euro shpërblim për çdo informacion për gjetjen autorit. Ka qenë emigrant në Itali dhe është kthyer në gusht. Nuk kemi të dhëna që ka qenë i përfshirë në aktivitet e tjera kriminale”, tha Vocaj.

Sulmohet me armë zjarri patrulla e “Shqiponjave”, efektivi plagoset gjatë ndjekjes së një personi
20 Shtator, 19:19
Po ashtu pati një reagim zyrtar nga policia. Ajo kërkon nga qytetarët të bëjnë kujdes, pasi personi po lëviz i armatosur. Po ashtu është vënë në dispozicion një numër telefoni ku mund të telefonojë kushdo që sheh 42-vjeçarin.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A.

Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton policia.

Sipas informacioneve, policia ka vënë kontakte me familjen e tij dhe po negociohet që të dorëzohet. Vetë familjarët kanë thënë se ai ka qenë në depresion të thellë. Ndërkohë janë ngritur postblloqe në shumë zona të Tiranës për kapjen e tij.