MENU
klinika

22 mijë “avulluan” në 2 orë!

Sfida me Çekinë/ Mision i pamundur për të blerë 1 biletë online!

16.09.2023 - 13:33

Sigurimi i një biletë për ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024” të 12 tetorit Shqipëri-Çeki për mijëra tifozë të Kombëtares ka qenë një mision i pamundur. Të 22 mijë biletat për sfidën vendimtare të kuqezinjve kanë avulluar në gati dy orë gjatë shitjeve online mbrëmjen e së premtes. Pas fitores dhe atmosferës së krijuar në ndeshjen me Poloninë kërkesat për bileta në sfidën ndaj çekëve kanë qenë shumë herë më tepër se kapaciteti i “Air Albania”.

Tifozët kishin ditë me radhë që futeshin online në faqen ku shiteshin biletat. Sapo FSHF hapi procesin e shitjes, mijëra tifozë hynë në faqe njëkohësisht, duke çuar në bllokimin e saj.

Në momente të caktuara kishte dhe 7 mijë tifozë në faqe që kërkonin bileta, por pa mundur ta sigurojnë një të tillë.

Vetë FSHF mbrëmjen e djeshme u mjaftua me një njoftim në facebook për shitjen e biletave madje pa publikuar edhe çmimet.

Report Tv u interesua pranë Federatës Shqiptare të futbollit për të mësuar mbi situatën, por zyrtarë thanë se biletat janë shitur të gjitha. Bllokimin dhe rënien e faqes online në pjesën më të madhe të kohës, e argumentojnë me fluksin e vizitorëve në faqe.

Por Pavarësisht këtyre argumenteve, kanë lindur dyshime të mëdha, nëse vërtet janë nxjerrë në shitje biletat për tifozët e thjeshtë të Kombëtares, apo ato janë shpërndarë në mënyrë preferenciale.

Një person që arrinte të futej online mund të blinte deri në 4 bileta, të cilat nuk përjashtohet të shiten në tregun e zi me çmim shumë më të lartë.

Sa u përket çmimeve, ato janë më të kripura se ato me Poloninë. Biletat në tribunën përballë asaj kryesores kushtojnë 8 dhe 6 mijë lekë ndërkohë që ndaj Polonisë ishin 6 dhe 4 mijë lekë. Pas porte një biletë për të parë sfidën ndaj Çekëve kushton 3 mijë lekë ndërsa ndaj polakëve ishte 2 mijë.