Policia e Beratit ka arrestuar një 36-vjeçar, në kuadër të operacionit antidrogë ‘Tempulli’.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se Florenc Kullolli akuzohet se shiste në një lavazh afër një shkolle në Kuçovë, lëndë narkotike.
NJOFTIMI I POLICISE
Shitnin doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në një biznes (lavazh automjetesh) në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari dhe procedohet në gjendje të lirë bashkëpunëtori i tij. Sekuestrohen një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, dhe 1 celular.
Në vijim të veprimeve operacionale të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, është siguruar informacion se në një biznes (lavazh për automjete), në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle në Kuçovë, shiteshin doza të lëndës narkotike cannabis sativa.
Në bazë të këtyre informacioneve, shërbimet e Policisë ndërhynë në këtë ambient, ku arrestuan në flagrancë shtetasin F. K., 36 vjeç, banues në lagjen “11-janari”. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtorin e 36-vjeçarit, shtetasin B. K., 38 vjeç, banues në lagjen “11-janari”.
Nga kontrollet në këtë ambient (lavazh për automjete), Policia sekuestroi me cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza të gatshme për shitje.
Megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.