MENU
klinika

Sipas “Rest Less”

Shqipëria, destinacioni i tretë në botë për zbulim kulturor

12.09.2023 - 15:58

Bota është e madhe, e bukur dhe emocionuese, e përbërë nga kultura të ndryshme magjepsëse.

Kështu nis shkrimi në të përditshmen britanike “Rest Less”, për rankimin e 12 destinacioneve kulturore që duhen patjetër të zbulohen, ku mes tyre është edhe Shqipëria.

Kultura është thelbësore për ekzistencën njerëzore dhe përshkruan besimet, vlerat dhe traditat e përbashkëta sipas të cilave jeton çdo komunitet! Udhëtimi në vende me kultura të ndryshme mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm, shkruan në artikull gazetarja Elise Christian.

Në shkrimin e agjencisë britanike Shqipëria është renditur e treta mes 12 destinacioneve më të mahnitshme për zbulime kulturore, pas Kamboxhias dhe Perusë.

Shqipëria ka parë një fluks turizmi në vitet e fundit, kultura e saj rurale mbetet e fortë, me shumë vendas që ende jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria – madje mund të shihni barinj që shëtisin me tufa delesh, shkruhet në artikull. Po ashtu, e cilëson një vend me plazhe të mahnitshme, fshatra idilike, pamje mahnitëse të Alpeve dhe vende të pabesueshme historike, siç janë mbetjet e Perandorisë Osmane.

Ky vend i Evropës Jugore ka gjithashtu shumë ‘gurë të çmuar’ të fshehur. Mes tyre renditet, “Syri i Kaltër” misterioz është ky burim uji verbues blu me një thellësi të panjohur në jug – ndërsa, në qytetin e Gjirokastrës të listuar nga UNESCO, shtëpitë prej guri ngjajnë me fortesa të vogla dhe rrugët me kalldrëm të çojnë të gjitha në pazar.

Agjencia fton për zbulimin e bukurive të Shqipërisë. Ndërsa rekomandon që në këtë sezon të vjeshtës ccmimet janë edhe më të lira, madje hotelet akomoduese ofrojnë oferta shumë të mira, deri në përgjysmim të çmimeve.

Viti 2023 ka qenë një vit i sukseshëm për sektorin e turizmit në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për periudhën 8 mujore kanë hyrë rreth 7.2 milionë turistë të huaj.