MENU
klinika

Rama: Shqiponja po fluturon lart

Shqipëria vendi i parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve

03.09.2023 - 14:18

Shqipëria këtë vit ka pritur turistë nga e gjithë bota, ndërsa shumë media prestigjioze ndërkombëtare e kanë sugjeruar atë për t’u vizituar. Sipas një raporti të Airport Councils International, konfirmohet se Shqipëria ka zënë vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve të aviacionit civil sa i takon muajit korrik.

Sipas shifrave, Shqipëria renditet e para me një rritje 116.6%, në krahasim me vitin 2019, kur bota u godit nga pandemia COVID. Kështu Shqipëria ka lënë pas ndër vendet më të zhvilluara në Bashkimin Europian por edhe në Ballkan në sektorin e turizmit. Në postimin e ndarë në Facebook, Rama vlerëson këtë rritje duke thënë se ‘Shqiponja’ po fluturon lart.


“Përsëri në krye edhe në muajin korrik për rritjen e numrit të pasagjerëve të aviacionit civil në Europë. Shqiponja po fluturon lart”, shkruan Rama.

Pak kohë më parë, edhe një raport i Eurocontrol Flights tregoi se Shqipëria zuri vendin e parë për rritjen e fluksit të fluturimeve në Europën Juglindore. Raporti i referohej fluturimeve për javën 9-15 gusht. Krahasuar me vitin 2019, sipas Eurocontrol, Shqipëria ka njohur një rritje prej 80% të fluksit të fluturimeve për periudhën 9-15 gusht.