MENU
klinika

Ja çfarë shkruajnë

Shtypi gjerman për Kosovën: Një shkëndijë dhe kontrolli humb!

26.09.2023 - 15:54

Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka analizuar gjakderdhjen në veri të Kosovës në një analizë të Michael Martens me titull “Vuçiç hedh poshtë pjesëmarrjen e Serbisë në trazira”.

“Versioni i Vuçiçit, që shteti serb nuk ka të bëjë asgjë me trazirat bie ndesh me faktin që autorët ishin të armatosur rëndë dhe të mirëorganizuar. Ata kishin madje edhe një automjet të blinduar. Tek këto nuk kanë qasje civilët në Kosovë, në një kohë që në veri vija e strukturave kriminale dhe shtetërore është shumë e lëvizshme. Që kjo po i bëhet gjithnjë e më e qartë edhe botës jashtë, duket në prononcimin e të ngarkuarit të BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, që bëri të ditur në platformën X, se BE e dënon “sulmin e neveritshëm kundër efektivëve të policisë ashpërsisht.”

Kurse gazeta “taz” nën titullin “Problematiku quhet Vuçiç” boton një koment të Erich Rathfelder për shkallëzimin e situatës në Kosovë, në të cilin theksohet, se “Serbia edhe njëherë e ashpërson gjendjen në Ballkan, në Kosovë. “Njeriu problematik i vërtetë quhet Aleksandar Vuçiç dhe është presidenti serb. Ai ndjek pa mëshirë qëllimet e veta, pa gatishmëri për kompromis. Për të do të thotë dobësi pranimi i kompromisit. Ai nuk do të kuptojë, se po dështon strategjia e tij, të arrijë të ketë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë por të mos e njohë Kosovën.[…]Vuçiç di të ushtrojë durim dhe i shikon diplomatët e Europës si idiotë të vlefshëm, që mund t’i mbajë varur deri sa të jetë e vendosur lufta e Ukrainës. Fiton Rusia, fiton edhe ai në Kosovë.”

“Nuk kemi vetëm një krizë politike, por edhe një krizë sigurie”

Më tej “taz” ka publikuar edhe një intervistë të martën mbi zhvillimet në Kosovë me politologun, Vedran Džihić nga Instituti për Politikën Ndërkombëtare në Vjenë, që kërkon që perëndimi të ndalë politikën e durimit kundrejt Serbisë. “Një shkëndijë dhe kontrolli humb”, thekson Vedran Džihić, duke iu referuar tensioneve të larta mes Kosovës e Serbisë, që janë më të lartat në 20 vitet e fundit. “Do të jetë e nevojshme edhe një rritje e prezencës së trupave të KFOR-it. Ne nuk kemi vetëm një krizë politike, por edhe një krizë sigurie. Kufijtë duhet të forcohen dhe të mbikqyren më intensivisht grupet kriminale.”

Edhe gazeta zvicernane “Neue Zürcher Zeitung” i kushton vëmendje zhvillimeve në Kosovë. “Brukseli dhe kryeqytetet e tjera duhet t’ia bëjnë shumë shpejt të qartë Beogradit dhe Prishtinës, se çfarë duhet të bëjnë. Në të vërtetë ata e dinë. Sepse për pikat themelore për përmirësimin e marrëdhënieve kanë rënë dakord të dyja palët dy herë […] Brukseli dhe BE duhet me të gjitha mjetet diplomatike dhe ato të presionit financiar të bëjnë që palët t’i zbatojnë premtimet e marra. Kosova ndërkohë është nën sanksione. Nëse Beogradi nuk e ndryshon qëndrimin e tij, ka ardhur kohë për masa ndëshkuese edhe kundër Serbisë. Shumë e dhimbshme do të ishte shfuqizimi i liberalizimit të vizave (në rast të Kosovës mos heqja e tyre).

Por BE nuk ka vetëm shkopin në dorë, por edhe karotën: Ndihma e shpejtë për projekte infrastrukturore dhe një konferencë donatorësh janë shpërblime që i duhen të dyja palëve. Tani kërkohet ritëm. BE ka humbur shumë kohë në Ballkan. Nuk ka më shumë kohë pas ndryshimit të situatës strategjike. Para neoimperializmit rus dhe sfidës së Kinës, BE ka trumbetuar se do të mësojë gjuhën e pushtetit. Tani BE duhet ta shqiptojë atë.”/ DW

“Nuk do largohem nga Serbia siç veproi Assad në Siri”

Vuçiç akuza shërbimeve të huaja inteligjente: Duan të më rrëzojnë, por unë…

Çfarë fshihet pas “lojës politike” të tyre

Serbia midis BE dhe BRICS, Vulin dhe Vuçiç konfuzojnë qytetarët

“Në Kosovë ka një acarim për disa iniciativa të panevojshme”

Gërvalla tregon pse janë ftohur raportet Tiranë-Prishtinë

Pas Serbisë, Gjermania “i vë syrin” edhe Bosnjë-Hercegovinës

Minierat e litiumit mund të hapen në gjithë Ballkanin

Të akuzuar për ndikim mbi dëshmitarët në bashkëpunim me Thaçin

Dalin sot para ‘Speciales’ në Hagë dy zyrtarët kosovarë