MENU
klinika

Analiza

Si u shndërruan Rusia dhe Armenia nga mike në armike…

27.09.2023 - 09:00

Rusia dhe Armenia jo vetëm që nuk janë më vende mike, por mesa duket shpejt po shndërrohen në armike, bazuar në “tradhtinë” e rusëve, zhgënjimin e armenëve dhe kërcënimet e ndërsjellta. Të gjitha ngjarjet duket se janë pasojë e rindezjes së një konflikti 30-vjeçar. Kur Armenia i bëri thirrje Rusisë të martën që të ndërhynte pasi Azerbajxhani nisi operacionet “anti-terroriste” në rajonin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakut, u bë shpejt e qartë se 2000 paqeruajtësit rusë të vendosur atje do të qëndronin mënjanë. Të vendosur përgjatë autostradës kryesore që kalon nëpër zonën e kontestuar, paqeruajtësit rusë mbërritën në rajon në vitin 2020 nën një mandat pesë-vjeçar pasi Moska ndërmjetësoi përfundimin e konfliktit të mëparshëm midis dy vendeve. Me një bazë ushtarake në Armeni, Rusia ka qenë prej kohësh garantuesi i sigurisë së vendit, duke përfshirë menaxhimin e tensioneve mbi Nagorno-Karabakun, por ndërsa Azerbajxhani nisi ofensivën e tij në rajonin e shkëputur malor, Moska e bëri të qartë se trupat e saj nuk kishin ndërmend të ndërhynin.

Përplasja me Armeninë

Të hënën, Rusia i tha kryeministrit armen Nikol Pashinyan se ai vetë ishte fajtor për fitoren e Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, sepse ai këmbënguli për afrimin me Perëndimin në vend që të punonte për paqen me Moskën dhe Bakun. Në një fjalim të dielën, Pashinyan tha se Rusia kishte dështuar Armeninë duke mos ofruar më shumë ndihmë për të shmangur humbjen në rajonin me shumicë armene, i cili është një pjesë e njohur ndërkombëtarisht e Azerbajxhanit. Kryeministri armen ka njoftuar se do të duhet të ndryshojë aleancat e sigurisë së vendit. Ministria e Punëve të Jashtme ruse dha një përgjigje të ashpër. “Ne jemi të bindur se lidershipi në Jerevan po bën një gabim të madh duke u përpjekur qëllimisht të shkatërrojë lidhjet e shumta dhe shekullore me Rusinë, ndërsa e mban vendin peng të lojërave gjeopolitike të Perëndimit”, thuhet në deklaratë. Rusia ka rreth 2 mijë paqeruajtës në zonë dhe pretendon se Pashinyan tani po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për humbjen duke ia drejtuar Moskës “fajin për dështimet në politikën e brendshme dhe ndërkombëtare”. Deklarata e Pashinyan për ndryshimin e aleancave tregon se ai po përgatitet të braktisë aleancën me Moskën dhe të kthehet plotësisht drejt Perëndimit, tha ministria ruse. Moska beson se autoritetet në Jerevan filluan “histerinë anti-ruse” në mediat armene dhe mohon se qëndron prapa protestave kundër qeverisë së Pashinyan. “Kreu i qeverisë armene duhet ta dijë mirë se Moska nuk merr pjesë në gjëra të tilla, ndryshe nga Perëndimi, i cili është mjaft i aftë në organizimin e ‘revolucioneve me ngjyra’”, thuhet në deklaratë.

Roli i Turqisë

Situata është e ndryshme në Armeni dhe Gjeorgji, larg demokracive të përsosura, por megjithatë demokracive. Për të rifituar terren në zonë, Moskës do t’i duhet të përdorë “fuqinë e butë” të një fuqie të madhe. Por pas luftës kjo tani u reduktua në zero. Këtu, hyn në lojë një tjetër mike e Rusisë: Turqia. Gjeorgjia dhe Armenia, duke kapërcyer kufirin e “përplasjes së qytetërimeve” midis të krishterëve ortodoksë dhe myslimanëve, kanë krijuar marrëdhënie me protagonistin tjetër të madh të ekuilibrit gjeopolitik në rajon: Turqinë e Recep Tayypp Erdogan. Gjithashtu në këtë rast, prania e vendit në zonë lidhet me një të kaluar shekullore: shumica e luftërave për Kaukazin ishin luftëra ruso-turke. Por këtë herë, pas tërheqjeve shekullore, Turqia ka avantazh. Ajo që e afron atë me Azerbajxhanin në zhvillim nuk është vetëm lidhja fetare, por edhe lidhja etniko-gjuhësore: nuk ka asnjë Azerbajxhanas që nuk e kupton gjuhën e Ankarasë. Në të vërtetë: sipas rrymave panturaniste, më nacionalistët e politikës lokale, Turqia dhe vendet e tjera turqishtfolëse janë në fakt një komb i vetëm që duhet të synojë njohjen politike. Perëndimi shfaqet në rënie. Ankaraja duket se synon të jetë një nga qendrat e një ekuilibri multipolar që do të ndërtohet. Është hapi i parë i një Turqie “postperëndimore”, shkruante revista “Foreign Affairs”. Dhe Kaukazi do të jetë pika e tij e nisjes.