MENU
klinika

Fatos Tarifa

Sot të gjithë jemi të pastrehë!

14.09.2023 - 18:59

Ç’tragjedi e rëndë ky zjarr i madh që ra sot në kryeqytetin tonë.

Këtë çast mendoj për ata dhjetra a qindra fëmijë që ktheheshin nga shkolla për të mos e gjetur më shtëpinë e tyre të dashur nga ku dolën në mëngjes.

Mendoj për ata dhjetra a qindra burra e gra që kthehen nga puna për ta gjetur apartamentin e tyre, të ëndërruar për vite, shkrumb e hi. Pa gjekafshë në të dhe pa asnjë send a kujtim të vyer nga e kaluara e tyre.

Mendoj për ata dhjetra të moshuar, banorë të këtij pallati tashmë të shkrumbuar, që s’do të munden dot të prehen me të dashurit e tyre këtë mbrëmje. Dhe për një kohë të gjatë më pas.

Të gjithë këta bashkëqytetarë tanët janë tashme të pa strehë. Pa gjë kurrgjëje. Në pikë të hallit. Shumica e tyre ndoshta debitorë ne banka për apartamentet që kanë blerë, por që nuk do i gëzojnë, nga që ky zjarr ua shkatërroi kaq brutalisht në një orë të vetme.

Këto po mendoj këtë çast, ndërsa vazhdoj të shoh në ekran përpjekjet heroike të zjarrfikësve tanë, që për më shumë se dy orë japin e marrin t’i shuajnë flakët e pabinduara.

Unë s’kam dyshim se Bashkia e Tiranës do të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë familjeve viktima të këtij zjarri. Bashkia mund të ndërmarë edhe një nismë për të krijuar një fond të posaçëm për të mbledhur dhe administruar kontributet financiare të atyre banorëve të kryeqytetit, qe do të dëshironin t’i ndihmojnë këto familje.

Qeveria nuk duhet të kursehet për t’i strehuar falas–dhe brenda një kohe shumë të shkurtër–të gjithë banorët që me këtë ngjarje tragjike humbën banesat e tyre. Ky zjarr ishte po aq shkatërrimtar sa edhe një tërmet shkatërrimtar. Fatmirësisht pa jetë të humbura!

Dhe kompanitë e mëdha ndërtuese private! Ju, pronarët e tyre super të pasur, kjo tragjedi ju jep një rast të dëshmoni humanizmin dhe solidaritetin tuaj njerëzor duke i ndihmuar bashkëqytetarët tuaj në nevojë.

Një sugjerim bankave të nivelit të dytë, në të cilat banorët e këtij pallati tashmë të shkrumbuar kanë marë kredi për t’i blerë banesat që tashmë nuk i kanë më. Faljuani ato kredi. Nga kjo nuk do të humbisni gjë. Por do të fitoni respektin e tyre dhe tonin si qytetarë shqiptarë!

Mund t’i kishte ndodhur kujtdo nga ne. Sot të gjithë ne jemi të pastrehë!

Romeo Kara 'shpërthen' ashpër: I duket vetja i paprekshëm

“SPAK ta kishte kapur Metën dhe bandën e tij prej veshësh…”

Balluku: Nuk do të ketë funksion fitimprurës!

“Shkrihet” AlbControl, krijohet një ent i ri