MENU
klinika

Çudira në Euro 2024

Spanja mbetet pa këpucë dhe doreza në Gjeorgji

08.09.2023 - 16:42

Gjeorgji – Spanjë është ndeshja e sotme e orës 18:00 që zhvillohet në Tbilisi për llogari të grupit A kualifikues të Euro 2024. Përgatitjet e spanjollëve nuk kanë qenë në kushte normale, pasi “Furisë së Kuqe” i ka munguar baza materiale e futbollistëve.

Siç bën me dije “Marca”, bagazhet ku ishin veshjet sportive, këpucët e lojës dhe dorezat e portierëve (mes të tjerave) kanë mbetur në Madrid. Kjo ka bërë që seanca e fundit stërvitore e Spanjës përpara ndeshjes kundër Gjeorgjisë të jetë atipike, me lojtarët që janë stërvitur me atletet e zakonshme, por jo këpucët me taka të lojës.

Kjo situatë jo normale e ka detyruar trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, që veç seancës së djeshme, sot në orët e para të paradites të zhvillojë një seancë tjetër me materialet e plota.

“La Roja” ka luajtur vetëm dy ndeshje në grupin A, për shkak të angazhimeve të saj në Ligën e Kombeve dhe pasi u mund nga Skocia, nuk do të dëshirojë të lërë pikë të tjera pas. Aktualisht Spanja ndodhet e katërta në grup, me tre pikë, pas Norvegjisë (4 pikë), Gjeorgjisë (4 pikë) dhe Skocisë (12 pikë). Skocia dhe Norvegjia kanë luajtur katër ndeshje, ndërsa Gjeorgjia ka luajtur tre duele.