Analisti dhe gazetari Lutfi Dervishi, ka ironizuar qëndrimet e kryeministrit Rama ndaj Kosovës, lidhur me sulmet në Banjskë.
Ndërsa e ka cilësuar si “më katolik se Papa, më i shenjtë se shenjtorët”, Dervishi thekson se në vend që t’i gjendet në krah Kosovës në këto momente të vështira, “Tirana një ditë mban qëndrim sikur jeton në hënë, një ditë tjetër bën patriotin me operacione PR”.
“Duke u hequr më katolik se Papa dhe më shenjtë se shenjëtorët, në ditën që duhet të dënonte aktin terrorist kërkon konferencë ndërkombëtare!… Po, një si ato që kemi parë aq shumë dhe që prodhojnë sërish veç debate televizive pasi Beogradi i ka të qarta mendimet: Edhe sikur të na vrasin s’e njohim Kosovën!”, shkruan Dervishi.
Sipas Dervishit, Banjska ishte rast i mirë që Shqipëria të hapte sytë dhe të shihte jo vetëm problemin, por edhe rrënjët e problemit që deri më sot ka rrefuzuar t’i shohë me shpresë se rruga e paqes do ishte Tiranë-Beograd dhe jo Tiranë-Prishtinë-Beograd, ndërsa shton më tej se “qëndrimet e deri tanishme të kryeministrit Rama tregojnë se nuk dëshiron të flasë për “elefantin në dhomë”.
“Nëse nuk ke mundësi, dëshirë për të ndihmuar, gjej forca për të mos prishur punë”, shprehet ai.
Reagimi i plotë
Më katolik se Papa, më i shenjtë se shenjtorët
Nëse ka vetëm një gjë që Tirana duhet ta ketë mësuar tashmë nga akti terrorist në Banjska, është se nuk e njeh Serbinë më mirë se Prishtina.
Presioni prej vitesh i Tiranës ndaj Kosovës në fillim për pranimin e“Mini-Schengenit” pastaj heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, më tej për Ballkanin e Hapur apo për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe, jo vetëm që nuk ka kontribuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por ka përkeqësuar marrëdhëniet mes dy qeverive shqiptare.
Banjska është gozhda e fundit në arkivolin e “Ballkanit të Hapur”.
Banjska dëshmoi se qeveria shqiptare edhe në ditën e aktit terrorist nuk u ngrit dot të bënte atë që bëri kushdo, madje edhe ndonjë serb i arsyeshëm: Dënimin e aktit terrorist.
Banjska dëshmoi se Serbia nuk ka hequr asnjëherë dorë nga plani i saj për të përdorur minoritetin serb në Kosovë si “gozhdën e Nastradinit” për të destabilizuar Kosovën nën shembullin e Republika Srpska në Bosnjë.
Banjska dëshmoi se presioni i njëanshëm i Perëndimit ndaj Prishtinës zyrtare dhe mbyllja e syve për Beogradin për hir të strategjisë se Serbia do të braktisë Rusinë, as kthen serbët nga Perëndimi dhe as zgjidh konfliktin.
Bansjka tregoi se burimi i problemeve dhe tensioneve nuk është asesi Prishtina, por Beogradi.
Në pritje të një “kohe më të mirë”, që prej 20 vjetësh Beogradi luan lojën e dalë boje “me ekstremistë” që nuk e lejojnë Vuçiqin të manovrojë më shumë. Kopje e lojës që Millosheviqi luante me Sheshelin e co.
Banjska ishte rast i mirë që Shqipëria të hapte sytë dhe të shihte jo vetëm problemin, por edhe rrënjët e problemit që deri më sot ka rrefuzuar t’i shohë me shpresë se rruga e paqes do ishte Tiranë-Beograd dhe jo Tiranë-Prishtinë-Beograd.
Por qëndrimet e deri tanishme të kryeministrit Rama tregojnë se nuk dëshiron të flasë për “elefantin në dhomë”.
Duke u hequr më katolik se Papa dhe më shenjtë se shenjëtorët, në ditën që duhet të dënonte aktin terrorist kërkon konferencë ndërkombëtare!… Po, një si ato që kemi parë aq shumë dhe që prodhojnë sërish veç debate televizive pasi Beogradi i ka të qarta mendimet: Edhe sikur të na vrasin s’e njohim Kosovën!
Në vend që të kërkojë që krahas pranisë së forcave speciale të policisë së Kosovës të shtohej edhe prania e KFOR-it, kryeminisitri i Shqipërisë me 24 orë me vonesë përsërit kërkesën e Presidentit të Serbisë: “KFOR të merret me sigurinë në veri të Kosovës”.
Duhet të jesh shurdh dhe i verbër që pas mbajtjes së zisë kombëtare për terroristët, reagimit skandaloz të shtypit që kontrollohet nga Vuçiq, vijimit të gënjeshtrave skandaloze se qeveria Kurti po ushtron “gjenocid” ndaj serbëve në Kosovë, të vijosh qëndrimin “ndaj të dy palëve”. Nuk mund të ketë simetri mes agresorit dhe të agresuarit.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s mund të ngrejë problemin e sigurisë dhe rolin e KFOR-it nën dritën e aktit terrorist dhe gjetjes së arsenalit të armëve.
Të habitesh që Serbia mban zi për terroristët do të thotë se ke harruar që ke të bësh me një vend që glorifikon edhe sot e kësaj dite kriminelët e luftës. Ke harruar që ke të bësh me një shtet që ka nisur 4 luftëra në Ballkan dhe ka ushtruar gjenocid.
Në vend që t’i gjendet në krah Kosovës në këto momente të vështira, Tirana edhe njëherë tjetër një ditë mban qëndrim sikur jeton në hënë dhe një ditë tjetër bën patriotin me operacione PR.
E vetmja gjë që nuk ka nevojë tani Kosova është spektakli i tipit: Shqipëria kundër BE-së. Për fat keq shumica e medias këndoi të njëjtën melodi. Një operacion PR për konsum të brendshëm në Shqipëri nuk e ndihmon aspak Kosovën.
Deklarata e 19 shtatorit e BE-së për të cilën Shqipëria “nuk qenka dakord” është tejkaluar edhe vetë nga BE më 24 shtator dhe më 25 shtator.
Më 24 shtator, BE e dënoi sulmin, ndërsa një ditë më pas uli flamurin në gjysëm shtizë për të respketuar oficerin e policisë së Kosovës. Dhe duhet mbajtur shënim se BE nuk “mbajti zi” për të “rënët” e Beogradit.
Nëse nuk ke mundësi, dëshirë për të ndihmuar, gjej forca për të mos prishur punë.