Superliga shqiptare e futbollit është në javën e tretë. Këtë të enjte në program janë dy duele, me Tiranën që fitoi 3-1 me përmbysje kundër Skënderbeut në “Selman Stërmasi”, duke marrë për momentin vendin e parë në klasifikim. Në 18:00 në “Loro Boriçi” të Shkodrës do zhvillohet dueli mes Vllaznisë dhe Partizanit.
Në “Selman Stërmasi”, Tirana fitoi 3-1 kundër Skënderbeut me përmbysje për javën e tretë në Superligë. Bardheblutë u befasuan qysh në minutën e tretë, ndërsa pas një gabimi ishte Ardit Nikaj që kaloi korçarët në avantazh. Sulmuesi shkodran veproi bukur me topin dhe përshëndeti rrjetën e Ilion Likës. Minutat në vijim ishin më të mira për bardheblutë e Shehit, që shtynë në sulm. Do duhej fundi i pjesës së parë dhe konkretisht e 44 minutë që Kaina të barazonte ndeshjen pas një asisti të Përgjonit. Sulmuesi brazilian kërceu mbi të gjithë, duke i çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes në ekuilibër.
Pjesa e dytë ishte më e luftuar, me Hasanin dhe Kainën që kishin disa mundësi. Duhej minuta e 66 që Shehi të hidhte në fushë Klevis Qefalinë për Ardit Hilën. Mesfushori i ri pas vetëm 11 minutash do shënonte golin e dytë për Tiranën, kjo pas një rrëmuje në zonë. Për t’u përmendur edhe tranversa e Yurit te Skënderbeu. Në fundin e lojës (90+8) ishte Florent Hasani që dërgoi shifrat në 3-1. Me këtë sukses Tirana merr kreun e renditjes me shtatë pikë pas tre ndeshjeve, ndërsa korrcarët pas dy fitoreve në javët e para mbajnë vendin e dytë. Duket se rikthimi pas disa muajve në “Selman Stërmasi” ka rezultuar me fat për bardheblutë.
Superliga – java 3:
E mërkurë
Egnatia 4-3 Erzeni
Dinamo 2-1 Kukësi
E enjte
Tirana 3-1 Skënderbeu
18:00 Vllaznia – Partizani
E premte
15:00 Laçi – Teuta