Policia e Shtetit njofton se ka nisur procedim në gjendje të lirë për dy administratorë të dy subjekteve që tregtonin dru zjarri në Librazhd, veprimtari, të cilën e kryenin në kundërshtim me ligjin.
Sipas policisë, subjektet në fjalë nuk bënin deklarimin e të ardhurave, të cilat i gjeneronin nga shitja e druve. Pas verifikimeve rezultoi se ata kishin punësuar edhe dy persona jashtë rregullave ligjore.
Njoftimi i Policisë së Elbasanit:
Librazhd: Nga kontrollet dhe verifikimet, Policia konstaton 2 subjekte ekonomike që fshihnin të ardhurat që gjeneronin nga shitja e druve për zjarr dhe që kishin punëtorë të paregjistruar. Procedohen penalisht 2 administratorët e këtyre subjekteve.
Si rezultat i kontrolleve në subjekte të ndryshme ekonomike, në qarkun Elbasan, me qëllim parandalimin dhe goditjen e informalitetit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kanë konstatuar se 2 subjekte për shitjen e druve për zjarr, në fshatin Hotolisht, Librazhd, e zhvillonin aktivitetin e tyre ekonomik, në paligjshmëri.
Për këto raste u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”, për administratorët e këtyre 2 subjekteve, shtetasit K. S., 63 vjeç dhe A. Z., 38 vjeç, të dy banues në Librazhd.
Nga verifikimet është konstatuar se këta shtetas nuk deklaronin në organet kompetente, të ardhurat që gjeneronin nga 2 subjektet ekonomike që administronin, si dhe se nuk kishin regjistruar 2 punonjësit e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.