MENU
klinika

Pas largimit të Gjicit

Votimet për kryebashkiakun e ri, sot heshtje zgjedhore në Kukës

23.09.2023 - 10:23

Qytetarët e Kukësit i drejtohen nesër kutive të votimit, në zgjedhjet e pjesshme për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri.

Kjo e shtunë shënon heshtjen zgjedhore, ndërsa gjithçka është gati për rivotimin e ditës së diel. Janë në total 45 mijë e 946 qytetarë me të drejtë vote, që nesër i drejtohen kutive të votimit në 74 qendra.

Ata do të kenë vetëm një fletë votimi, ku do të jenë të renditur dy kandidatët e vetëm në garë. Numrin 1 e mban Albert Halilaj i Partisë Socialiste, ndërsa numrin 2 Emri Vata i koalicionit “Bashkë fitojmë”.

Ditën e djeshme në Kukës kanë mbërritur materialet zgjedhore që janë transportuar nga mjetet e ushtrisë të shoqëruara nga policia e shtetit dhe janë vendosur në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”.

Kujtojmë se Kukësi shkon në zgjedhje më 24 shtator, pas video-skandalit seksual ku ish-kryebashkiaku i PS, Safet Gjici shfaqet duke kryer marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi brenda në ambientet e zyrës së bashkisë.

Fillimisht ndaj tij nisi hetimi për akuzën e shpërdorimit të detyrës ndërsa pas publikimit të pjesës së dytë të videos ku Alma.K shfaqej teksa i kërkonte Gjicit një tender për shoqatën e saj të qenve, SPAK ka nisur hetimet për korrupsion. Prej 24 qershorit 2023 ai ndodhet në paraburgim dhe akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv”.

Safet Gjici akuzohet se gjatë kohës që ka qenë kryebashkiak i Kukësit favorizoi Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sot votohet në Dibër, ja emrat e 22 kandidatëve

Demokratët e qarkut të Kukësit ndëshkojnë ish-kryebashkiakët