MENU
klinika

Analiza

Xi Jinping po e falimenton Kinën…

01.09.2023 - 11:00

Është e vështirë të thuhet se kur një krizë nën një regjim diktatorial, siç është edhe rënia e papritur e modelit ekonomik të Kinës, nuk ka të bëjë me këtë apo atë person, por me vetë regjimin. Përvoja ime në këtë aspekt është shumë dekurajuese.

Në vitin 1984, libri im “Strategjia e Madhe e Bashkimit Sovjetik”, përmbante shumë faqe për kombësitë, për të cilat pretendoja se po shkonin drejt pavarësisë. Jo vetëm baltikët, armenët dhe gjeorgjianët, por edhe të tjerët që zinin territore shumë më të mëdha si kazakët, uzbekët, kirgizët, taxhikët dhe turkmenët.

Reagimi i çdo sovjeologu të njohur perëndimor, ishte se unë kisha ngatërruar në mënyrë të pamend kategoritë folklorike me kombet aktuale. Sipas tyre ato ishin thjesht “sovjetike”, dhe ishte një fantazi që të mund të dëshironin ndonjëherë të ishin të pavarur. Dhe kjo gjë po më thuhej vetëm 7 vjet përpara shembjes zyrtare të Bashkimit Sovjetik.

Është një aksiomë që kombet duhet të durojnë derisa të shemben regjimet. Por asnjë nga analogjitë sovjetike nuk funksionon kur bëhet fjalë për Kinën. Është e vërtetë, Pekini njeh 55 minoritete në vend. Por ato përbëjnë jo më shumë se 9 për qind të numrit total të popullsisë.

Dhe disa nga kombësitë janë vetëm folklorike, në dallim nga ujgurët, kazakët dhe tibetianët, të cilët kinezët detyrohet t’i shtypin në një mënyrë aktive. Sa i përket ekonomisë, ajo arriti të tejkalojë Partinë Komuniste Sovjetike vetëm pas 2 dekadash stanjacioni gjithnjë e më demoralizues, që ishte bërë i dukshëm deri në vitin 1980 edhe për vizitorët e rastësishëm, të cilët vunë re një pamje shumë të dallueshme “sovjetike” të pa shpresë në fytyrat e shumicës së njerëzve.

Nga ana tjetër Partia Komuniste Kineze, kaloi nga një gjendje ku dominonte kequshqyerja dhe papastëria – kur unë jetoja atje në vitin 1976, mbeturinat dergjeshin rrugëve – me një rritje ekonomike drastike që nga fillimi i viteve 1980, e cila u përshpejtua në vitet 1990, duke e pasuruar ndjeshëm Kinën deri kohët e fundit.

Edhe lajmet e këqija ekonomike sot, nuk zbulojnë ndonjë sëmundje terminale dhe domosdoshmërisht shkatërrimtare të regjimit, siç ishte e vërtetë për Bashkimin Sovjetik, që ishte i detyruar të importonte grurë çdo disa vjet, edhe pse ndërtoi më shumë traktorë për fermerët e tij sesa SHBA-ja.

Në fakt, sëmundja e vetme që po e shkatërron pasurinë në Kinë, ka qenë pikërisht ajo që çdo turist, madje edhe disa ekspertë e kanë admiruar shumë:përhapja e një infrastrukture jashtëzakonisht mbresëlënëse, kryesisht e projektuar dhe e ndërtuar mirë.

Këtu përfshihen nga trenat me shpejtësi të lartë, të cilët tani arrijnë deri në Laos, duke lidhin rreth 550 qytete në 33 provinca, tek autostradat që lidhin çdo pjesë të Kinës, madje disa deri në male dhe shkretëtira, afro 250 aeroporte me shërbim të plotë (në vitin 1976 kishte vetëm 8 me një trafik të kënaqshëm), tek portet e mëdha që importuan 95 milionë tonë sojë vetëm në vitin 2021.

Si e shkatërrojnë pasurinë infrastrukturat gjigante? Mjafton një shembull i thjeshtë. Në vitin 2018, në një udhëtim përgjatë kufirit me Korenë e Veriut, kalova mbi një urë të madhe dhe të bukur me 6 korsi përtej lumit Jalu. Ajo ishte ndërtuar për të lidhur qytetin kinez Dandong me Korenë e Veriut, dhe për t’i shërbyer bumit tregtar që priste Xi me hapjen e premtuar të ekonomisë së Koresë së Veriut.

Natyrisht, kjo pikë do të kërkonte edhe një doganë, e cila ishte e ndërtuar siç duhet. Një godinë shumëkatëshe tejet mbresëlënëse, me magazina dhe me më shumë se 10 blloqe zyrash tregtare. Megjithatë, kur e vizitova, ura përfundoi në një fushë me patate të Koresë së Veriut, trafiku ishte zero, dogana ishte bosh dhe po ashtu edhe blloqet e zyrave dhe magazinat, disa prej të cilave të paguara nga tregtarët privatë, të cilët ishin të falimentuar kur i takova në Dandong.

Ata shanin hapur Xi-në, që vazhdonte të respektonte embargon e Këshillit të Sigurimit të sponsorizuar nga SHBA kundër Phenianit. Kursimet që mund të kishin pasuruar shumë qytetarë kinezë, përfshirë 180 milionë të llogaritur zyrtarisht si “shumë të varfër” dhe rreth 300 milionë të tjerë të bllokuar ende në varfëri, u shpërdoruan në kompleksin e urës Jalu, duke lënë pezull shumë projekte në infrastrukturë në mbarë Kinën.

Lista e shpërdorimeve nis me të paktën 100 aeroporte thuajse të pashfrytëzuara dhe shumë autostrada, të cilat janë kryesisht bosh sa i përket trafikut edhe në Kinën e tej-populluar. Tani problemi kryesor nuk është se çfarë mund të kishte ndodhur nëse kapitali do të ishte përdorur për të ulur varfërinë, por mënyra se si u gjetën këto para.

Disa u mblodhën nga taksat, por shumica u gjetën duke iu shtuar malit të pafund të borxheve, i cili tani po paralizon investimet e firmave private të ndërtimit, që ndërtuan rrokaqiej dhe blloqe gjigante apartamentesh në të gjithë Kinën, si dhe bashkëpunimi gjysmë privat, unik për Kinën, me ndërmarrje të përbashkëta në provinca që ndërtuan fabrika dhe projekte infrastrukturore.

Paratë për këto të fundit vinin nga kreditë e degëve lokale të bankave shtetërore, drejtuesit e të cilave nuk mund t’u thoshin jo thjesht bosëve të partive lokale, të cilët i ftonin në darka luksoze ose u mbyllnin dosjet e tyre korruptive.

Në Pekin, menaxherët kryesorë në selinë qendrore të Bankës së Kinës – modelet e të cilëve nuk janë as Mao, Lenini dhe as Xi Jinping, por homologët e tyre të Bankës së Anglisë dhe të Rezervës Federale, me të cilët kanë studiuar së bashku në SHBA dhe Angli – vazhduan përpjekjet për të disiplinuar financat.

Por ata ishin të pafuqishëm për të trembur shefat e partisë. Pan Gongsheng, kreu aktual i Bankës Qendrore, është padyshim zyrtari më i pavarur që ka mbijetuar në Kinën tejet autokratike të Xi-së, ashtu si drejtuesja e bankës qendrore ruse, Elvira Näbiullina, që mbetet zyrtarja më e pavarur në Moskë.

Megjithatë, Pan e di se nuk mund t’i ndalë projektet e infrastrukturës që po i shtohen çdo ditë malit të madh të borxheve të Kinës, pa zëvendësuar menjëherë një krizë borxhi me një krizë masive papunësie. Kriza e papritur ekonomike, që ka ndalur në vend ekonominë e Kinës pas disa dekada rritjeje shumë të shpejtë, nuk është thjesht “ciklike”.

Xi Jinping nuk mund t’ia lejojë vetes të bëjë sikur s’ka ndodhur asgjë:mali i madh i borxheve duhet të reduktohet, vetëm kështu mund të rifillojnë investimet fitimprurëse. Në vitin SHBA, kura për krizën e borxhit të viteve 2007-2009 që bllokoi edhe ekonominë e Evropës, ishte falimentimi i Lehman Brothers në vitin 2008, si dhe i qindra kompanive të mëdha dhe të vogla.

Miliona pronarë shtëpish në SHBA me kredi të pa pagueshme, u bërë menjëherë të pastrehë, por edhe pa borxhe. Megjithatë, shumë pak prej tyre mbetën të pastrehë për një kohë të gjatë, sepse ekonomia amerikane u ngrit shumë shpejt pasi u pastrua drastikisht nga kreditë e këqija.

Në Kinë, problemi është i kundërt:miliona kinezë i kanë investuar të gjitha ose një pjesë të madhe të kursimeve të tyre në apartamente që qëndrojnë bosh, duke gjeneruar taksa dhe kosto të tjera në vend të të ardhurave. Ata nuk mund të dalin dot nga kjo spirale.

Dhe kanë nevojë për qiramarrës, të cilët në praktikë duhet të jenë kryesisht çifte të reja që krijojnë familje, pikërisht sot kur shumë të rinj dhe jo aq të rinj beqarë kinezë, jetojnë ende me prindërit e tyre. Pikërisht në këtë pikë, një problem ekonomik bëhet politik, dhe mund të jetë vdekjeprurës për çdo regjim, madje edhe autokracinë vazhdimisht vetë-lavdëruese dhe në dukje të frikshme të Xi Jinping.

Ndërsa e gjithë bota do të paguajë një kosto për rënien ekonomike të Kinës, sepse ajo përbën një pjesë shumë të madhe të “byrekut” ekonomik botëror, kjo do të vijë edhe me një çmim ngushëllues shumë të mirëpritur: për herë të parë që nga viti 1949, është e mundur të imagjinohet një Kinë post-komuniste.

Marrë me shkurtime

Shënim: Edward Luttwak, strategjist dhe historian i njohur për shkrimet dhe librat e tij mbi gjeo-ekonominë, historinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare./ “Unherd