MENU
klinika

Bllokuan foltoren

4 deputetë socialistë kërkojnë masa disiplinore për Bardhin dhe të tjerët

06.10.2023 - 15:59

Partia Socialiste i ka dërguar gjatë ditës së sotme një kërkesë Komisionit të Disiplinës dhe Etikës për të marrë masa ndaj deputetëve që penguan votimin ditën e djeshme në seancën në Kuvend.

Deputetë e PS që kërkojnë që të merret kjo masë disiplinore janë Etjen Xhafaj, Bledi Çuçi, Toni Gogu dhe Arben Pëllumbi.

Katër deputetët e mazhorancës kërkojnë të merret masa ndaj Elda Hotit, Albana Vokshit, Bledion Nallbatit, Zheni Gjergjit, Lefter Gështenjës, Asllan Dogjanit, Luan Baçit dhe Gazment Bardhit.

Kujtojmë që seanca e djeshme është zhvilluar me debate të shumta, fillimisht PD kërkoi që të diskutohej për Kosovën, ku nuk pranon që të vijonin me rendin e ditës.

Ndërsa më vonë, teksa po zhvilloheshin debate për Reformën Zgjedhore deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren dhe podiumin e qeverisë.

Opozita refuzoi të votonte ndryshimet, ndërsa kreu i grupit Parlamentar Gazment Bardhi kërkoi që ngrihej një Komision i posaçëm për reformën zgjedhore.

Kaosi në Kuvend, bëri që kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla në një nga mikrofonat e ministrave të mbyllte seancën, pasi karrigia e saj ishte zënë nga Albana Vokshi dhe Elda Hoti.