MENU
klinika

Nga Fatos Tarifa

AMERIKA! Si Kushtetuta e saj krijoi demokracinë më të madhe në botë

06.10.2023 - 11:31

Sa herë bëhet fjalë për karakterin “eksepsional” të Amerikës (si nga ata që besojnë në të, edhe nga ata që nuk e pranojnë këtë koncept), nuk lihet pa përmendur Kushtetuta e këtij vendi. Ky dokument politik dhe juridik i jashtëzakonshëm—i jashtëzakonshëm jo vetëm për kohën kur u hartua dhe u ratifikua (1787-1788), por edhe për kohën e sotme—mund të thuhet se mishëron gjithçka të veçantë me të cilën përligjen pretendimet mbi “eksepsionalizmin amerikan”.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara është, në fakt, një dokument eksepsional. Ajo është jo vetëm kushtetuta e parë, pra edhe më e vjetër në botë që vazhdon të jetë në fuqi (nëse nuk përmendim Statutet e San Marinos të 1600-ës, si dhe “The Bill of Rights” dhe statute të tjera të viteve 1680 në Mbretërinë e Bashkuar dhe në disa vende të Komonuellthit), por edhe një dukument që ka pasur një ndikim të madh në hartimin e kushtetutave të shumë vendeve të tjera.
Për rëndësinë e jashtëzakonshme dhe karakterin “ekspesional” të Kushtetës amerikane flet edhe ky fakt i thjeshtë, por tepër kuptimplotë. Qeveria e mbështetur mbi parimet e kësaj kushtetute u formua 11 javë para se të niste Revolucioni Francez (më 1789). Qysh nga ajo kohë, Franca ka njohur tre mbretëri, dy perandori dhe pesë republika. Shtetet e Bashkuara të Amerikës—një vend tashmë me një territor disa herë më të gjerë sesa territoret e bashkuara të 13 kolonive të para, nga bashkimi i të cilave u formua, dhe me një popullsi rreth njëqind herë më të madhe, një vend ekonomikisht e teknologjikisht shumë më i zhvilluar, shumë më i pasur dhe ushtarakisht fuqia më e madhe e globit—kanë po atë kushtetutë që hartuan dhe miratuan më 17 shtator 1787 dhe kanë mbetur e njëjta republikë federale.

****

Ka shumë arsye të besojmë e të themi se hartimi i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka qenë e mbetet dokumenti politik dhe juridik shtetformues më i suksesshëm në historinë e njerëzimit. Teksti original i saj, i shkruar me dorë në vetëm 5 faqe, përveçse shumë elegant në formulim, kishte vetëm 4,617 fjalë. (Për një vështrim krahasues: teksti origjinal i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara është 5.5 herë më i shkurtër sesa teksti i Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë i vitit 2015!). Kushtetuta amerikane përmbante një hyrje, vetëm 7 artikuj dhe një paragraf përmbyllës. Kaq mjaftuan për të krijuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm 42 muaj më vonë, më 15 dhjetor 1791, Kushtetutës amerikane iu shtuan 10 amendamentet e para, të njohura kolektivisht si “Bill of Right”. Në vetëm 461 fjalë, këto dhjetë amendamente garantojnë të drejtat dhe liritë e çdo individi, përcaktojnë kufizime të qarta për pushtetin e qeverisë në procedime gjyqësore e të tjera dhe në mënyrë eksplicite garantojnë se të gjitha pushtetet që me kushtetutë nuk i janë dhënë në mënyrë specifike qeverisë federale, u rezervohen shteteve të veçantë të federatës ose popullit.

Qysh nga ajo kohë, Kushtetutës amerikane i janë shtuar vetëm 17 amendamente të tjera—17 amendamente në më shumë se 230 vite! Prej tyre, 12 janë kryesisht modifikime të tilla si, fjala vjen, zhvendosja e datës së inaugurimit të çdo presidenti të ri nga 4 marsi, në 20 janar.

Vetëm 5 amendamente kanë qenë thelbësorë: Amendamenti 13 (1864), me të cilin iu dha fund skllavërisë në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara; Amendamenti 14 (1868), me të cilin garantohen të drejtat e të gjithë shtetasve amerikanë, të lindur në atë vend ose të natyralizuar si qytetarë të tij (i rëndësishëm sidomos në kushtet e pasojave që la Lufta Civile në Amerikë); Amendamenti 15 (1870), me të cilin e drejta e votes u garantohet të gjithë qytetarëve amerikanë, pa dallim race apo ngjyre, apo prejardhjeje. Të miratura gjatë dhe fill pas Luftës Civile në Amerikë, amendamentet 13, 14 dhe 15 ishin pjesë e procesit të “rindërtimit” të Jugut Amerikan (American South) pas asaj Lufte dhe njihen, zakonisht, si “amendamente rindërtues” (reconstruction amendments).

Me Amendamentin 17 (1913) u vendos që zgjedhja e përfaqësuesve të çdo shteti në Senatin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të bëhej me votë popullore; ndërsa Amendamenti 19 (1920), u garantoi të drejtën e votës edhe grave, deri atëherë të përjashtuara nga jeta politike.

Themeluesit e Republikës Amerikane krijuan një Kushtetutë dhe formuluan një politikë që mbështetej në parimet dhe në idetë historike, filozofike e politike më progresiste të kohës lidhur me individin dhe shoqërinë. Të marra së bashku, këto parime, ose këto “shprehi mendore” (“habits of mind”) dhe mënyra e të vepruarit mbi bazën e tyre formuan atë moralitet konstitucionalist që u artikulua më së miri në The Federalist Papers dhe që përbën bazën e sistemit juridik e politik amerikan, parimet kryesore të të cilit janë: republikanizmi, ndarja e pushteteve, federalizmi dhe një administratë qeverisëse e kufizuar.

***

Është me interes të thesojmë se një meritë të veçantë në përcaktimin e karakterit unik të demokracisë amerikane qysh nga themelimi i saj ka George Washington.

Kur u krijua Republika Amerikane nuk kishte asnjë kufizim kushtetues që një president ta mbante atë post për jetë. Qysh nga koha kur George Washington u zgjodh presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara (1789-1797) dhe deri më 1951, kur president i atij vendi ishte Harry Truman, çdo president amerikan mund të qëndronte në krye të Shtëpisë së Bardhë për aq mandate (pa asnjë kufizim) sa herë që ai mund të kandidonte e të fitonte në zgjedhje.

Por, ata që e themeluan republikën amerikane nuk donin që republika e tyre të ishte një farë “elective monarchy” dhe as të krijonin një tjetër mbret à la George III, nga i cili sapo kishin fituar pavarësinë, pra një president që mund të zgjidhej dhe të sundonte për jetë.

Këtë sentiment antimonarkist në prag të themelimit të republikës amerikane e shpreh në një mënyrë mjaft domethënse edhe ky episod i famshëm:

Më 1787, ndërsa delegatët e Konventës Kushtetuese po dilnin nga Independence Hall, ndërtesa ku u mbajt ajo konventë në Philadelphia dhe në të cilën u diskutuan parimet bazë të kushtetutës amerikane dhe struktura shtetërore e republikës së re, një grua e moshuar iu drejtua nga turma Benjamin Franklin-it me këto fjalë:

“Doktor, çfarë do të kemi, një republikë apo një monarki?” (“Doctor, what have we got? A republic or a monarchy?”).

Pyetjes së saj, Franklin i dha këtë përgjigjet, që është bërë proverbiale:

“Një republikë, nëse do të mundeni ta ruani atë”. (“A republic if you can keep it”).

Edhe pse kushtetuta amerikane nuk i pengonte, George Washington dhe Thomas Jefferson krijuan precedentin e dy mandateve për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Washington refuzoi të kandidonte për një mandat të tretë, ndërsa Jefferson ishte i bindur se dy mandate janë të mjaftueshëm për një individ në krye të republikës dhe se qëndrimi për një kohë më të gjatë në krye të ekzekutivit rrezikon ta zgjerojë pushtetin ekzekutiv dhe të krijojë një “tirani presidenciale” (presidential tyranny). Publiku i lexuar e di se, në Shtetet e Bashkuara, presidenti është jo vetëm kreu i shtetit, por edhe kreu i qeverisë.

Fakti që George Washington (udhëheqësi legjendar i Revolucionit Amerikan dhe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara), dhe Thomas Jefferson (hartuesi kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, i cili u bë i pari sekretar Shteti i Shteteve të Bashkuara dhe presidenti i tretë i atij vendi), zgjodhën të mos qëndronin më shumë se dy mandate në krye të administratës amerikane (edhe pse kjo nuk ishte e pamundur për asnjërin prej tyre), por t’ia linin atë post fituesit në zgjedhjet konkurruese të radhës, konsiderohet nga shumëkush si shëmbulli i një standardi të ri qeverisjeje, mbështetur në shtetin ligjor, që Amerika po krijonte për vete dhe për mbarë botën.

Një artikull i botuar në revistën amerikane Commentary (mars 2019), titulluar “Çfarë e bën Amerikën eksepsionale?” (What Makes America Exceptional), nis me këtë episod, që për autorin e atij artikulli, John Steele Gordon, shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.

“Para se të agonte, mëngjesin e 4 marsit 1801, presidenti John Adams la Shtëpinë e Bardhë dhe hipi në një pajton për t’u kthyer në shtëpinë e tij e për të vazhduar jetën si një pensionist në Massachusetts, pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 1800. Gjashtë orë më vonë, Thomas Jefferson do të betohej si presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara”.

Sot, largimi nga detyra i presidentëve të zgjedhur pasi humbasin në zgjedhjet pasardhëse është një ngjarje politike rutinë. Ndodh në çdo vend demokratik, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara. Por neve rrallë na shkon mendja se kjo dukuri demokratike moderne nisi me presidentin e dytë të Shteteve të Bashkuara, John Adams, kur humbi në zgjedhje ndaj rivalit të tij Thomas Jefferson.

Me sjelljen e tyre politike, tre presidentët e parë të Shteteve të Bashkuara—George Washington, John Adams dhe Thomas Jefferson—dhanë një shembull eksepsional, pa precedent deri atëherë, duke shënuar fillimin e një praktike të re qeverisëse në historinë botërore.

Pas presidentëve Washington dhe Jefferson, dy mandate u bënë standardi jozyrtar i kohëzgjatjes në detyrë për çdo president amerikan. Këtë dukuri politike, Alexis de Tocqueville e konsideronte si një ndër veçoritë më të spikatura të demokracisë amerikane, kur shkruante se: “Pushteti shoqëror kalon vazhdimisht nga një palë duar në të tjera, sepse ai është i varur nga pushteti i popullit” (The social power is constantly changing hands, because it is subordinate to the power of the people).

Gjatë më shumë se dy shekujve që pasuan, ekonomia dinamike e Shteteve të Bashkuara, prosperiteti i përgjithshëm i saj, zhvillimi industrial dhe bujqësor, arritjet e mëdha shkencore, inxhinierike e teknologjike, progresi në fushën e të drejtave civile, historia e zgjedhjeve përgjithësisht të lira dhe transferimet paqësore të pushtetit duket se e kanë përligjur besimin e një pjese të madhe të amerikanëve se vendi i tyre është një vend vërtet “eksepsional”, edhe pse këtë pikëpamje e gjejmë të shprehur më shpesh në radhët e politikanëve amerikanë—republikanë dhe demokratë—veçanërisht në kohë fushatash elektorale, sesa në qarqet akademike e intelektuale të atij vendi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin