Apeli i GJKKO ka lënë në burg Dritan Metaj, ish-shefin e komisariatit Laç, pasi ky i fundit kishte ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Kujtojmë se Metaj u arrestua si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Gëzim Çela, i njohur ndryshe dhe si ‘baroni’ i drogën në zonën e Fushë Kuqes.
Metaj dyshohet se ka lëvizur me makinën e policisë, të ashtuquajturin “baron i drogës”, dhe anëtarë të tjerë të grupit. Burime policore bëjnë me dije se Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminal, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 30.10.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 52 akti, datë 26.10.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e paraqitur nga i hetuari/ankuesi D.M., ndaj vendimit nr. 111, datë 10.10.2023 (në lëndë të masave të sigurimit) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 111 akti datë 10.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.