Zbardhen të tjera detaje nga konflikti i pronësisë në zonën e Kepit të Rodonit, që çoi në arrestimin e 8 personave. Siç u raportua dhe më herët, mes të arrestuarve është dhe ish-deputeti socialist, Mark Frroku.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj, duke iu referuar dhe burimeve policore, raporton për BalkanWeb se gjatë sherrit është qëlluar me armë. Nga të dhënat paraprake, ka dyshime se personi që ka qëlluar me armë është kushëri i ish-deputetit Frroku.
Konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës, konkretisht të fshatit Shetaj, nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.