MENU
klinika

Protestë kundër ujësjellësit të ri!

Banorët e Mezhgoranit duan të pengojnë punimet

06.10.2023 - 12:26

Banorët e fshatit Mezhgoran në Tepelenë prej dy ditësh janë duke u përpjekur të pengojnë fillimin e punimeve për një ujësjellës lokal që pritet të furnizojë me ujë Mezhgoranin, Peshtanin dhe një resort turistik që po ngrihet në anën tjetër të Vjosës.

Ata pretendojnë se ky projekt, që nuk ka marrë miratimin e banorëve, do të cenojë burimet ujore të fshatit në funksion të zgjidhjes së nevojave të një biznesi privat. Fshati me rreth 300 banorë i vendosur në një lartësi prej 730 m mbi nivelin e detit, jeton kryesisht me blegtori.

Banorët kanë ndërtuar një rrjet primitiv tubacionesh për të furnizuar me ujë banesat por njëherazi e përdorin ujin e burimeve për ujitjen e tokës dhe plotësimin e nevojave për rreth 2500 krerë bagëti të imëta dhe rreth 700 gjedhë.

Dje ata bllokuan rrugën nacionale pranë urës së Peshtanit duke u konfliktuar fizikisht me policinë, ndërsa sot u desh ndërhyrja e rreth 70 forcave policore për të garantuar fillimin e punimeve.

“Janë duke na marrë ujin pa na pyetur fare. Duan zhvendosjen e fshatit. Kemi kërkuar të na bëjnë rrugën jo ujësjellësin. Fshati e kontrollon vetë ujin si mundet me investime private dhe burimi ska ujë as për ne jo më të furnizojë resorte”, shprehet një banor.

“Fshati jeton me blegtori. Ku do pijnë bagëtitë? Kemi 2500 dele e dhi përveç lopëve. Si kanë menduar që do jetojmë pa ujë? Askush nuk është dakord. Burimi thahet komplet në verë e nuk përmbush dot nevojat tona. Nuk do ti lejojmë”, thotë një tjetër.

“Po na hoqën dhe ujin të na thonë si të jetojmë. Ne nuk kemi parë asnjë projekt nuk na u morr asnjë mendim. Nuk dimë fare ç’bëhet vetëm duam zgjidhje”, tregon një banore.

Zyrtarisht, bashkia e Tepelenës përmes kreut Tërmet Peçi bën me dije se projekti i ujësjellësit nuk i cenon burimet ujore të zonës por garanton menaxhimin më të mirë të ujërave të pijshëm, kushtet higjeno-sanitare dhe sigurinë. Projekti i miratuar që në korrik të vitit 2020 parashikon marrjen prej burimit të Mezhgoranit të sasisë prej 1,94 l/sek prej të cilës 1.02 l/sek do të shkojnë për fshatin Mezhgoran, 0,69 l/sek do të shkojnë për fshatin Peshtan dhe 0,23 l/sek për resortin turistik.

Në fazën e parë të ndërhyrjes përfshihet kaptazhi i burimit të Mezhgoranit dhe ndërtimi i linjës së dërgimit për në fshatin Peshtan.

Në fazën e dytë projekti parashikon ndërtimin e dy depove me kapacitet 50m3 njëra prej të cilave do të furnizojë edhe resortin si dhe vendosjen e matësave të ujit.

Megjithatë, banorët janë duke u përgatitur për një betejë ligjore dhe për bojkote të tjera të punimeve për këtë vepër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Po na bën jetën të pajetueshme"

Postriba në protestë kundër gurores

Ndërtimi i fabrikës së bitumit

Banorët e Fierzës në protestë kundër guroreve


"S’jam unë autori! Kërkojeni diku tjetër kriminelin"

Çifti u gjetën të masakruar në banesë, 69-vjeçari mohon akuzat

“Çifti u godit me sende të forta dhe me mjete prerëse”

Policia sqaron dinamikën e krimit në Dropull

Piu kafen e fundit me të moshuarit, më pas…

Zbardhet vrasja e çiftit në Dropull, policia arreston autorin!

"Plazhe të mrekullueshme dhe çmimet të lira"

Blogerët italianë: Shqipëria, destinacionin magjepsës