MENU
klinika

Rikthehen bilbilat dhe bllokimi i foltores

Bardhi-Berisha fillojnë lojën e vjetër, paralajmërojnë kaos në Kuvend

17.10.2023 - 17:23

Gazmet Bardhi ka nisur të bëjë lojën e Sali Berishës. Në sesionin e kaluar deputetët e “Foltores” ishin ata që u frynin bilbilave dhe bllokonin foltoren e Kuvendit duke mos lejuar seancë normale, por duket se ky skenar do të rikthehet.

Duke mos pasur një datë për mbajtjen e protestave, dyshja Bardhi-Berisha kanë vendosur të fusin në krizë politikën duke bërë që të enjteve të ketë sherr, debate dhe zhurmë, duke i dhënë një tjetër mundësi mazhorancës të miratojë ligjet pa debat, sikundër ka ndodhur sa herë që opozita protestonte në sallë.

Pas një mbledhje që pati me ‘foltoren’, Bardhi njoftoi masat ekstreme si kundërpërgjigje ndaj vendimit të PS për të mos lejuar ngritjen e komisioneve hetimore për aferat me koncesionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS.

“Dua t’iu informoj se përgjatë dy viteve me urdhër politik janë bllokuar 31 projektligje, iniciativa të deputetëve të opozitës që nuk merren në shqyrtim nga Komisionet Parlamentare dhe kalohen në kuvend pa dhënë datë për shqyrtimin e tyre. Kërkuam komisione hetimore dhe na i kanë rrëzuar. Dua te apeloj mazhorancën që t’i rikthehet procesit normale të Parlamentit.

Mazhoranca duhet t’i kthehet rrugës së funksionimit normal të Parlamentit. Nuk kemi synim bllokimin e punës në Parlament, mirëpo vendimmarrja e Edi Ramës në tentativë për të asgjësuar opozitën, po i çon deputetët e saj në veprime ekstreme. Nuk e kemi qëllim, mirëpo nëse ke vendosur bllokimin e opozitës, duhet të marrësh mbrapsht edhe pasojat”, u shpreh Bardhi.

Më herët ishte Sali Berisha, ai i cili po në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar theksoi se tanimë populli opozitar do të futet në një periudhë të re, në të cilën do të fitojë.

I pyetur për kreun e grupit, Berisha konfirmoi edhe njëherë se për demokratët që udhëheq ai, kreu i grupit është Gazment Bardhi.

“Unë ju siguroj se diskutime intensive po zhvillohen. Gazment Bardhi është kryetari i grupit parlament të PD, i të gjithë deputetëve të PD, përveç një grupi të vogël që kanë mbetur dhe uroj të kuptojnë greminën e turpit në të cilën po i fut Lulzim Pengu, sepse ata nuk janë aty si deputetë për tu keqpërdorur nga Lulzim Pengu dhe Edi Rama, por janë për tu qëndruar besnik idealeve dhe ti bashkohen sa më parë grupit të PD.

Situata e jashtëzakonshme e krijuar në parlament nga Edi Rama, i cili në një qëndrim të paprecedentë në historinë e parlamentarizmit, merr përsipër ti caktojë opozitës ti caktojë kryetarin e saj, të bllokojë çdo Komision Hetimor Parlamentar që nuk i intereson, merr përsipër të bllokojë të gjitha këto në kundërshtim me Kushtetutën, çdo iniciativë ligjore të deputetëve të parlamentit, dhe janë me dhjetëra të tilla, grupi parlamentar e konsideron këtë një situatë të jashtëzakonshme dhe garanton qytetarët se që në seancën e ardhshme dhe në vazhdim, do të japë çdo përgjigje të merituar”, tha Berisha.

Ai u shpreh se sot Shqipëria në Parlamentin e saj nuk ka më pluralizmin e vërtetë. Sipas Berishës, sot ka një pushtet të Edi Ramës.