MENU
klinika

Takimi në Luksemburg

BE diskuton sot për situatën Kosovë-Serbi

23.10.2023 - 13:33

Këshilli i Punëve të Jashtme, i kryesuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, do të zhvillojë sot një takim në Luksemburg duke filluar nga ora 8.30, ku në rendin e ditës do të jetë edhe situata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmeve terroriste të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

BE-ja thotë se është e bashkuar duke u kërkuar të dyja palëve të kontribuojnë urgjentisht në de-përshkallëzimin dhe kthimin në zbatimin e detyrimeve të tyre të pazgjidhura që dalin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Në një deklaratë për media thuhet se Këshilli do të diskutojë edhe mbi situatën në Izrael dhe në rajon, pas veprimeve brutale të Hamasit dhe sulmet terroriste pa dallim kundër Izraelit dhe ngjarjet që po shpalosen në Gaza.

Po ashtu, në rend dite do të jetë edhe agresioni rus kundër Ukrainës, duke u fokusuar në angazhimet e BE-së për sigurinë, dhe zhvillimet në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.

Këshilli i Punëve të Jashtme do të diskutojë edhe për situatën në Kinë dhe Sahel.

“Sipas çështjeve aktuale, Këshilli do të prekë, ndër të tjera, situatën mes Serbisë dhe Kosovës, Kinën dhe Sahelin”, thuhet në njoftim.

Ky takim pason vizitën e pesëshes diplimatike të BE dhe SHBA që vizituan të shtunën Prishtinën dhe Beogradin.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, emisari special i BE-së, për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka ndryshuar shumë gjëra.

Lajçak bëri thirrje që sulmi të hetohet plotësisht dhe sulmuesit të përballen me pasojat, teksa shtoi ndaj dialogut s’ka alternativë, pasi i njëjti sjell normalizim të marrëdhënieve.

Ministrat e BE-së do të marrin pjesë më pas në takimin e 19-të ministror BE-Azinë Qendrore me Kazakistanin, Republikën e Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit.