MENU
klinika

Shifra për 41 km dhe afati final

BE financon autostradën Murriqan-Lezhë

23.10.2023 - 17:02

Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) që koordinon grantet dhe kreditë e donatorëve, kryesisht Bashkimit Europian dhe Bankës Botërore, po koordinon financimin e segmentit të parë të autostradës Adriatiko-Joniane, Murriqan – Lezhë, pjesë e rrjetit kryesor rrugor europian (TEN-T).

Sipas të dhënave zyrtare nga WBIF, autostrada Murriqan – Lezhë (Balldren) do të ketë gjatësi prej 41 km shtrirje të re dhe dyfishim të autostradës ekzistuese. Janë parashikuar 8 kryqëzime, 23 nënkalime dhe 8 ura (gjatësia totale 1210 m).

Kategoria e propozuar e projektimit është “A”, me shpejtësi projektimi prej 120 km/h. Për më tepër, 24.1 km rrugë dytësore dhe shërbimi do të ndërtohen për të ndihmuar aktivitetet bujqësore, industriale dhe të tjera përgjatë rrugës kryesore dhe për të siguruar komunikimin midis dy anëve të autostradës.

Kostoja totale e projektit vlerësohet 255 milionë euro, nga të cilat 128 milionë euro janë kredi dhe për 100 milionë euro është aplikuar për grant nga qeveria shqiptare në WBIF. Për kredinë është ofruar Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me vlerën totale 128 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare do të kontribuojë me 30,3 milionë euro.

Afati i përfundimit teë këtij aksi të rëndësishëm për BE është planifikuar viti 2029. WBIF ka dhënë një grant prej 1,6 milionë eurosh i cili financon përgatitjen e një Vlerësimi të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS), një Projekti Paraprak dhe analizë për të përditësuar kosto-përfitimet seksionin e autostradës Murriqan- Balldren.

Korridori Rrugor Adriatik-Jonian (AIC) është zgjerimi tregues i Korridorit të Rrjetit Bërthamë Mesdhetar TEN-T që lidh Europën qendrore dhe veriore me gadishullin Ballkanik, nga Trieste në Itali deri në Kalamatë në Greqi.

Gjatësia nga Italia në Greqi do të jetë afërsisht 1,500 km. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Korridori kalon përmes Malit të Zi (afërsisht 110 km ose 7% e gjatësisë totale) dhe Shqipërisë (afërsisht 315 km ose 20% e gjatësisë totale). Korridori i Mesdheut që do të përfshijë pjesën e bregut të Ballkanit, do të jetë një rrugë në funksion të një rajoni kulturor dhe turistik.

Të gjitha vendet ku aksi kalon nga Spanja në Greqi, korridori ofron pjesët më të bukura të kulturës, gjeografisë dhe turizmit të Europës, me një ofertë të pasur turistike. Ky aks merr rëndësi strategjike, pasi lidhet me Korridorin e Mëndafshit në portet e Stambollit. Deri në Kroaci, thuajse korridori është i plotë, kurse nga Mali i zi dhe në Shqipëri, infrastruktura duhet të ribëhet gati në 70% nga e para.

Në pjesën shqiptare disa akse të rëndësishme nga Miloti në Fier po ndërtohen me koncesion dhe tashmë fituesit janë shpallur.

Sipas të dhënave nga studimi i fzibilitetit Autostrada Adriatiko-Joniane në territorin shqiptare nis në Muriqan dhe vazhdon në Balldren, Milot, Thumanë, Kashar, Lekaj, Konjat, bypass-in e Fierit, Levan, Poçem, Memaliaj, Subash, bypass-in e Gjirokastrës dhe përfundon në Kakavijë, në 13 segmente me gjatësi 318 kilometra, duke përfshirë edhe bypass-in e Fierit që është në proces ndërtimi. Nga këto 5 segmente do të ndërtohen nga e para, ndërsa 8 të tjerat do të jenë dublim dhe sjellja në parametra e një autostrade të kategorisë A, me shpejtësi 12 kilometër në orë. /Monitor