MENU
klinika

Analiza

BE rindez “makinën” e zgjerimit, çfarë sfidash e presin?

05.10.2023 - 09:00

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar një sërë riorganizimesh gjeopolitike, nga Kina deri në Indi dhe Turqi. Shumë prej tyre ka të ngjarë të jenë kalimtare. Por ndryshimi që mund të rezultojë i qëndrueshëm, është një rend i ri evropian që tani po shqyrtohet në një mënyrë shumë aktive.

Rreth 2.000 km larg vijës së frontit, lufta e ka nxitur Brukselin të marrë seriozisht parasysh anëtarësimin e vendeve të reja në union për herë të parë në më shumë se një dekadë, dhe ta përshtatë BE-në për atë që ka të ngjarë të jetë zgjerimi i fundit i madh i saj.

Më 6 tetor, 27 udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të takohen në qytetin spanjoll të Granadës për të përcaktuar një rrugë drejt këtij zgjerimi, dhe për të diskutuar se si do të funksiononte një union i zgjeruar.

Rruga drejt anëtarësimit në BE për deri 9 vende të reja – përfshirë Serbinë, Shqipërinë dhe 4 vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, si dhe Ukrainën, Moldavinë dhe ndoshta Gjeorgjinë – do të jetë plot zigzage. Të bashkuarit me atë që do të bëhej blloku më i madh ekonomik në botë, në të njëjtin nivel me SHBA-në, do të kërkojë reforma të thella që aspirantët aktualë i kanë shmangur deri më tani, apo që pushtuesit rusë po i bëjnë më të vështira për t’i përmbushur.

Nga këndvështrimi i BE-së, zgjerimi nga 27 në ndoshta 36 anëtarë nesër, do të jetë i mundur vetëm nëse rishikohet puna e tij e brendshme. Kjo do të përfshijë ndryshimin e ekuilibrit të pushtetit midis institucioneve qendrore të bllokut dhe kryeqyteteve të tij kombëtare.

Për shembull duke e bërë klubin më pak peng të tekave të një vendi të vetëm. Por riorganizime të tilla të brendshme, mund të nxisin lehtësisht grindje në samitet gjatë gjithë natës për të cilat unioni njihet shumë mirë tashmë. Askush nuk pret që procesi të jetë i shpejtë.

Një datë e synuar, viti 2030, që po konsiderohet si për aplikantët po ashtu edhe për BE-në është shumë ambicioze. Por fakti që pranimi i më shumë vendeve në bllok është tashmë në rendin e ditës mbetet gjithsesi mbresëlënës, kjo duke pasur parasysh se entuziazmi për çdo hyrje të re është zbehur ndjeshëm vitet e fundit.

Dikur zgjerimi ishte një fije e kuqe që kalonte nga historia e klubit, që e nisi me vetëm 6 anëtarë dhe përfundoi me 28 (para se të largohej Britania). Por në vitin 2013, kur u anëtarësua Kroacia, procesi u duk sikur ngeci sepse askush nuk është bashkuar që atëherë.

Kjo shpjegohej pjesërisht me “lodhjen nga zgjerimi” në gardën e vjetër të Evropës, si për shembull Francën, e cila kishte frikë se zgjerimi i BE-së kishte ndodhur në kurriz të thellimit të integrimit të saj. Të tjerët ranë dakord me Parisin, sidomos pas sjelljes së papranueshme të disa prej shteteve të reja anëtare në vitin 2004.

Hungaria dhe Polonia po drejtohen nga qeveri të akuzuara për shkelje të vlerave thelbësore të BE-së në lidhje me sundimin e ligjit. Për pjesën më të madhe të viteve 2010, BE-ja ishte e përfshirë në krizën e eurozonës, dhe nuk ishte e gatshme të përballej me sfida të reja. Ndërkohë Ukraina ishte shumë e madhe, shumë e varfër, shumë e korruptuar dhe shumë agrare për të hyrë në një klub që i mbron tej mase fermerët e saj.

Por lufta në Ukrainë ka ndryshuar llogaritë. “Dikur zgjerimi nxitej nga shpresa; ndërsa sot nga frika” thotë një diplomat nga një vend aspirant. Të lëna prej vitesh në paradhomën e BE-së, disa vende në rajon kanë kthyer kokën nga aleatët e rinj, përfshirë Rusinë, Turqinë dhe Kinën, të cilat e kanë mbushur rajonin me ndihma dhe investime.

Dikur kjo ishte thjesht e bezdisshme për BE-në. Sot është një inkursion i patolerueshëm në oborrin e tij të pasëm. Kostot e anëtarësimit të Ukrainës dhe të tjerëve në klub do të jenë të rënda, pasi ata janë ende të varfër, të korruptuar dhe agrar në shkallë të ndryshme. Megjithatë, ka shumë arsye të mendohet se do të jetë edhe më e kushtueshme nëse ato lihen jashtë. Për këtë nuk janë askund më të ndërgjegjshëm sesa në Francë. Jo më larg se në maj 2022, Emanuel Makron shpërfilli mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës, duke thënë se do të duhen “disa dekada”.

Por tani Franca është shndërruar në një flamurtare të papritur të zgjerimit. Po ashtu edhe  Gjermania dhe vendet anëtare të Evropës Qendrore, dhe kjo më shumë për arsye sigurie.

Dy janë pengesa kryesore në këtë proces. E para ka të bëjë me vendet kandidate, dhe e dyta me gatishmërinë e klubit ku duan të hyjnë.

Sa për të parën: ka një arsye të fortë pse Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe të tjerët nuk janë tashmë në BE. Asnjë prej tyre nuk është qeverisur mirë. Që të gjitha këto vende vuajnë nga një përzierje e autokracisë, korrupsionit dhe sundimit të dobët të ligjit. Ndërkohë Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina kanë trupa ruse në territorin e tyre.

Vazhdojnë tensionet e mëdha midis 2 vendeve të tjera kandidate, Serbisë dhe Kosovës, me përleshje periodike të armatosura. Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq, përdori fjalimin e tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të sulmuar Perëndimin për ankesat e vjetra.

Nga ana e saj, Kosova nuk njihet as si shtet nga 5 anëtarët aktualë të BE-së.

Edhe kur liderët pro-BE, duket se po ndërmarrin reforma të dobishme, për shembull Maia Sandu në Moldavi apo Edi Rama në Shqipëri, ekziston frika nëse fituesi i zgjedhjeve të ardhshme do të jetë i përshtatshëm për t’u ulur në tryezën e lartë të Këshillit Evropian.

E njëjta gjë është e vërtetë për Ukrainën dhe për cilindo që mund të pasojë në krye Volodimir Zelenskin. Zyrtarët e BE-së që vizituan Kievin janë impresionuar nga përpjekjet që po bën vendi për të plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit. Por kush do të jetë presidenti i Ukrainës në vitin 2030 apo 2035?

Pengesat mund të duken të pakapërcyeshme, sidomos në Ballkanin Perëndimor, të cilit i është premtuar anëtarësimi në BE si një shpërblim për reformat e nisura që nga viti 2003. Por optimistët e zgjerimit mendojnë se tani nevojitet një dinamikë e re. Dy hapa po ndërmerren për ta thyer ciklin e vjetër.

I pari është një konsensus i ri në Bruksel, sipas së cilit vendet aplikuese duhet të ndjejnë përfitimet e BE përpara se të anëtarësohen plotësisht. Së dyti janë përpjekjet e BE për të treguar se klubi po kryen riorganizimin e tij, i nevojshëm për ndodhjen e zgjerimit të radhës. Një sfidë tjetër e madhe është përshtatja e rregullave bazë të BE-së mbi mënyrën se si merren vendimet.

“The Economist”