“Trillim fund e krye”, kështu e ka cilësuar Sali Berisha prangosjen e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit dhe akuzat që rëndojnë mbi të.
Ish-kryeministri tregoi në një intervistë për Euronews Albania se ishte në shtëpinë e tij duke lexuar kur e mori vesh lajmin pasi u njoftua nga disa miq të tij.
“E mora vesh, më njoftuan. Këta kishin shumë kohë, duke mos pasur asnjë fakt, dokument, nuk e kishin shpallur person nën hetim dhe tani që e kanë arrestuar s’e kanë arrestuar si të akuzuar për vepër penale, e kanë arrestuar si person nën hetim. Dhe çfarë bënin këta?
Herë pas here për të më bërë presion mua thërrisnin gazetarë të paguar prej tyre dhe ju thoshin që Abi Malltezi do të arrestohet. Keni gati mandatin e arrestit, por këto s’më bënë mua asnjë përshtypje, sikundër s’më bëri as ajo që mora vesh,” – u shpreh Berisha.
Ai tha se ndihet keq për situatën pasi dukshëm bëhet fjalë për një burgim politik, por është i përgatitur për të tilla gjëra.
Berisha kujtoi se ka pasur edhe të tjerë para Ramës që kanë tentuar ta përbaltin, por s’ja kanë dalë pasi nuk kanë pasur kurrë asnjë provë.
Në rastin konkret, ish-kryeministri përmendi dhe pasuritë e sekuestruara të Malltezit, të cilat lehtësisht mund të verifikohen që janë blerë para vitit 2004, kur dhëndri bashkë me vëllain e tij ishin zyrtarë të OKB-së në Kosovë.
Siç sqaroi Berisha, e bija dhe bashkëshorti kanë zgjedhur që kursimet t’i investojnë në pasuri të paluajtshme për t’ju marrë qiranë, duke qenë se të dy janë pedagogë dhe nuk kanë pasur mundësi të merren me një biznes. Ai u shpreh se të gjitha janë të verifikueshme, por dokumentet po fshihen.