Kur kanë kaluar dy vite nga zgjedhjet e vitit 2021, ish kryeministri Sali Berisha ka zbuluar një telefonatë me Lulzim Bashën, të cilit i ka thënë se “i ka goditur zgjedhjet”.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha thotë se në 2021, qytetarët ishin shumë entuziastë për fitoren, por ishte Basha ai që i hodhi ujë dhe e shuajti këtë zjarr entuziazmi.
“Ne kemi ardhur si opozitë fatkeqe, me një regjim që Rama grabiste, numëronte votat dhe nuk lejonte rotacionin politik të faktuar. Ndërsa njerëzit kanë deklaruar se ky i vjedh dhe fiton. Por e vërteta është se ai vjedh dhe nuk fiton.
Nuk mund të pranohen zgjedhjet e 2021 nëse ti ndan 130 mln euro në llogaritë bankarë të familjeve që pësuan dëme nga tërmeti.
Zgjedhjet e 2021 u shitën, absolutisht u shitën nga Lulzim Basha dhe Edi Rama e kishte përfunduar marrëveshjen me Bashën që ta marrte në bashkëqeverisje.
A kishte entuziazëm në vitin 2021? Kishte dhe qytetarët besonin tek fitorja e opozitës. Basha këtij zjarri i hodhi ujë, e shoi. Fushatat kanë trajektoret e tyre, një fushatë që ecën dhe papritmas rrëzohet ajo ka probleme serioze.
Çfarë na ndodhi ne në 2021? U la mbyllja e fushatës. Nuk ftoi asnjëri, por shkova se nuk doja të krijoja lajm. Shkoj dhe i gjej në një karroceri toyote, shoh aty dy deputet, e shoqja aty matanë. Foli 25 minuta dhe iku. E mora në telefon dhe i thashë godite zgjedhjet”, tha Berisha.