MENU
klinika

"Të korruptuarit të japin llogari!"

Berishës i bllokohet pasaporta dhe merret masa ‘detyrim paraqitje’, reagon Lulzim Basha

22.10.2023 - 19:20

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi mbrëmjen e 21 Tetorit masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha, si dhe i është bllokuar pasaporta në kuadër të hetimeve për dosjen që lidhet me privatizimin e kompleksit Partizani.

Krahas masës për Berishën, SPAK urdhëroi arrestimin e dhëndrit të ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezit, i cili u ndalua po ashtu mbrëmjen e 21 Tetorit. Po ashtu masa për “detyrim paraqitje” është lëshuar edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi, i përfshirë në ndërtimet e pallateve në zonën ku ndodhej kompleksi sportiv.

Si Berisha, Malltezi edhe Bektashi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Reagimet e para për këto zhvillime kanë ardhur nga kampi i demokratëve pranë Berishës, të cilët bazuar në qëndrimet e tyre, kanë vendosur ta mbështesin ish-kryeministrin edhe në këtë situatë.

Ndërsa pritej një reagim, edhe nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dikur krahu i tij i djathtë, ky i fundit, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë duket se mbështet akuzat e Prokurorisë ndërsa kërkon që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.

“Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht.”, shkruan Basha në një postim në Facebook, pas një takimi me qytetarë në Dibër.

Statusi i plotë i kreut të PD-së:

Sot isha në Dibër ku pash nga afër shqetësimet e tregtarëve për rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse të qytetarë që, me buxhetin e vogël në dispozicion, nuk arrijnë të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre.

Ky është realiteti prej vitesh – thonë tregtarët. Kjo ka ndikuar në largimin masiv të rinisë duke pamundësuar edhe shfrytëzimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në këtë zonë.

Ata përballen me vështirësi të shumta, që nga mungesa e mbështetjes për shtresat e varfëra, për sektorin e bujqësisë e blegtorisë, mungesa e tregut dhe vendeve të punës, çka ka sjellë dhe rënie të fuqisë blerëse.

Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realitetit sot në Shqipëri që po detyron shqiptarët të largohen nga vendi.

Prandaj sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht.

Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët.