MENU
klinika

Drejtësi apo hakmarrje

BIRN: Ish-kryeministri shqiptar përballet me akuza për korrupsion

23.10.2023 - 16:53

Më 18 qershor 2008, qeveria e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave, i drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha, propozoi një ndryshim në Ligjin për Sportin.

Ndryshimi lejoi privatizimin e ambienteve sportive nga familjet e ish-pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, dekada më parë. Në relacionin shpjegues për ligjin thuhej se ndryshimi do të ndihmonte sportin në vend të zhvillohet në nivelin më të lartë.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, prokurorët pretendojnë se ky ishte një nga disa ndryshime ligjore të ndërmarra nga qeveria e Berishës për të lehtësuar zhvillimin e një biznesi, në të cilin ai dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kishin një interes financiar.

Prokurorët pretendojnë se ata së bashku siguruan rreth 5.4 milionë euro ryshfete nga marrëveshja

Berisha u akuzua për “korrupsion pasiv” së bashku me Malltezin të shtunën nga Struktura e Posaçme e Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Akuzat tronditën skenën politike në Shqipëri. Malltezi u arrestua ndërsa Berishës, 79 vjeç, iu urdhërua të paraqitej në polici dhe iu ndalua udhëtimi jashtë vendit.

Berisha, një figurë dominuese në politikën shqiptare që nga viti 1992, i hodhi poshtë akuzat si të motivuara politikisht, duke pretenduar se prokurorët ishin nën kontrollin e kryeministrit socialist Edi Rama.

Ai tha se veprimet e SPAK ishin rezultat i planeve të liga të Ramës për ta shkatërruar përfundimisht opozitën e qendrës së djathtë dhe për të sunduar pa konkurrencë.

“Edi Rama mendon se duke ushtruar përndjekjen e tij kundër meje dhe duke arrestuar anëtarët e familjes sime… në një moment kur opozita duket më e vendosur se kurrë në betejën… për të rivendosur pluralitetin politik… dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga ky narkoregjim… se ai mund të parandalojë veprimin e opozitës,” tha Berisha në një konferencë për shtyp, ndërsa përfaqësues të Byrosë Kombëtare të Hetimit po vinin tek ai për t’i komunikuar urdhrin e gjykatës.

Prokurorët thonë konkretisht se Berisha ndryshoi ligjet për të lehtësuar zhvillimin e rreth 17 pallateve shumëkatëshe dhe, nëpërmjet dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, përfitoi 5.4 milionë euro nga ndërtimi.

Berisha akuzohet se ka ndryshuar akte ligjore dhe nënligjore dhe se ka ushtruar presion ndaj zyrtarëve të ndryshëm. Si pasojë e këtyre veprimeve, Malltezi u bë bashkëpronar i kompanisë së ndërtimit ‘Homeplan’ – e cila ndërtoi në ish-kompleksin sportiv ‘Partizani’ në Tiranë, pa investuar asnjë kapital në të, theksojnë prokurorët.

Vendimi i gjykatës prej 256 faqesh, të cilin BIRN e ka parë, detajon procesin e supozuar.

Berisha i ka kundërshtuar akuzat duke pretenduar se procesi i privatizimit të tokës është nisur nga qeveria paraardhëse e ish-kryesministrit Fatos Nano dhe se disa vendime kyçe janë marrë nga Bashkia e Tiranës, kur vetë kryeministri aktual, Edi Rama ishte kryebashkiak.

Ai pohoi gjithashtu se dhëndri i tij po përndiqej vetëm pasi kishte denoncuar një tjetër skandal korrupsioni dhe se akuzat ishin një akt hakmarrjeje nga Rama.

Rama nuk e ka komentuar rastin deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi

Toka në fjalë ishte në pronësi të disa familjeve, të shpronësuara nën regjimin komunist pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 1970, Ministria e Mbrojtjes kishte ndërtuar objekte sportive në këtë tokë për ekipin e saj të futbollit, Partizani.

Pas rënies së regjimit, në vitin 1994 ish-pronarët kërkuan kthimin e tokës. Megjithatë, kjo nuk lejohej, pasi konsiderohej e shfrytëzuar për qëllime publike.

Ligji i miratuar nga parlamenti, në atë kohë i drejtuar nga Partia Demokratike, lejonte kthimin e pronës vetëm kur ajo ishte e lirë dhe ndërkohë ofronte një proces kompensimi, i cili nuk ndodhi kurrë.

Pronarët vazhduan të luftonin gjatë viteve për ta rimarrë tokën, pavarësisht nga një mori vështirësish, ku përfshihej fakti se duke qenë se i përkiste ekipit sportiv të Ministrisë së Mbrojtjes, konsiderohej një pasuri ushtarake.

Vështirësitë tejkalohen

Pengesat e jashtëzakonshme me të cilat u përballën ish-pronarët e kompleksit sportiv ‘Partizani’ – shumica e tyre të persekutuar nën regjimin komunist, gjatë tre dekadave të fundit për t’u kthyer ose kompensuar pronat e tyre, u kapërcyen në një periudhë mjaft të shkurtër kohore midis viteve 2006 dhe 2008.

Kjo pasi ata zgjodhën Jamarbër Malltezin si përfaqësues të tyre dhe i akorduan atij një tarifë kompensimi 3-5 për qind të pronës për shpenzimet e mundshme të bëra në procesin e marrjes së pronës.

Prokurorët vënë në dukje se agjencia shtetërore që trajtonte kërkesat e pronarëve të shpronësuar, e cila ishte e njohur për vonesat e saj, tani veproi me shpejtësi brenda disa muajsh për t’iu përgjigjur kërkesave, gjoja duke vepruar nën ndikimin e Malltezit

Pronarëve më në fund iu rikthyen ambientet sportive dhe ky veprim u mundësua nga të paktën dy ndryshime ligjore të e propozuara nga qeveria e Berishës.

Kjo hapi rrugën për zhvillimin e tokës.

Pronarët e tokës arritën një marrëveshje zhvillimi me Homeplan Shpk, një kompani e themeluar në vitin 2008 nga Fatmir Bektashi, i cili gjithashtu zotëronte një pjesë të tokës si trashëgimtar. Kompania mori leje ndërtimi në vitet në vijim, me Bektashin të listuar ligjërisht si pronar i vetëm.

Megjithatë, në vitin 2018, kompania depozitoi një kontratë në Regjistrin Kombëtar të Bizneseve, të nënshkruar në vitin 2014, në të cilën Bektashi i shiste Malltezit 35 për qind të aksioneve për një vlerë nominale prej 35 mijë lekësh ose rreth 300 euro.

Prokurorët besojnë se ky transaksion ishte një mënyrë për t’i transferuar fitimet Malltezit dhe në mënyrë të tërthortë Berishës, si “pagesë” për ndryshimet e bëra në ligje, që kishin mundësuar kthimin dhe zhvillimin e pronës.

“Shtetasi J. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar,”, thuhet në njoftimin për shtyp të SPAK.

Në këtë mënyrë, shtohet më tej, Malltezi fshehu origjinën duke “marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike”.

Ankth për demokracinë në Shqipëri

Berisha u përfshi në politikë gjatë tranzicionit të Shqipërisë nga një regjim komunist në një demokraci shumëpartiake dhe në vitin 1992 dhe u zgjodh president. Ai u rizgjodh në 1996, por u desh të jepte dorëheqjen në vitin 1997, pasi Shqipëria u zhyt në kaos pas rënies së një sërë skemash piramidale mashtruese.

Megjithatë, Partia Demokratike e qendrës së djathtë e udhëhequr prej tij fitoi zgjedhjet në vitin 2005, me një fushatë kundër korrupsionit me premtimin për ‘duar të pastra’, pas së cilës Berisha u bë kryeministër deri në vitin 2013. Pas humbjes së zgjedhjeve në 2013-tën Berisha dha dorëheqjen si kreu i Partisë Demokratike, por në prapaskenë ai i mbajti frenat e partisë.

Në vitin 2021, SHBA e sanksionoi atë si ‘non grata’, duke e përcaltuar si një politikan të përfshirë në korrupsion. Një vendim i ngjashëm u mor më vonë nga Mbretëria e Bashkuar. Berisha i mohoi akuzat e ndërkombëtarëve.

Aktualisht ai është ‘de facto’ lider i opozitës ndaj qeverisë së majtë të udhëhequr nga Edi Rama, megjithëse koalicioni i tij humbi rëndë në zgjedhjet e fundit vendore.

Nëse shpallet fajtor për korrupsion pasiv, ai rrezikon të burgoset nga katër deri në 12 vjet. Ndërkohë, qeveria e Edi Ramës, e cila është e zhytur në skandalet e veta korruptive, duket se nuk përballet me asnjë opozitë të besueshme – duke shtuar ankthin për shëndetin e demokracisë në Shqipëri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Prokuroria akuzon Berishën dhe Malltezin për 5.4 milionë euro përfitime të parregullta”

BIRN: Ish-kryeministri dyshohet se ka përdorur pushtetin e tij në përfitim të dhëndrit


U bë pjesë e debatit për emigrantët e ardhur nga Italia në Shqipëri

BBC: Elon Musk u qortua pasi i doli në krah Georgia Melonit

Mes tyre ekspertë kimistë nga Venezuela dhe Kolumbia

Goditja e grupit kriminal ndërkombëtar, emrat e të arrestuarve!

Akuzohet se dhunoi pjesëtarët e një familje

Arrestohet vëllai i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rraja!