Në një dalje të pazakontë për mënyrën e prezencës se saj publike, vajza e ish presidentit, ish kryeministrit dhe pronarit de facto dhe de jure të Partisë Demokratike në 30 e kusur vite, znj Argita Berisha Malltezi theu heshtjen dhe diskrecionin personal, për t’i dalë në mbrojtje babait biologjik Sali Berisha dhe bashkëshortit të saj Jamarbër Malltezi. Gjithçka deri këtu është mëse normale, krejtësisht e natyrshme dhe legjitime në kontekstin familjar e njerëzor. Thënë kjo, çdo argument që znj Maltezi paraqiti gjatë nje interviste televizive është e natyrshme dhe bën sens në kontekstin personal të qëllimisht të kësaj daljeje të rrallë publike të saj. Gjithashtu është krejt normale të mbrosh babain tënd dhe babain e fëmijëve të tu, i pari në rrezik për të shkuar në moshë të thyer në burg nëse akuzat provohen dhe i dyti i ndodhur pas hekurave të qelisë, tashmë me masë sigurie izolimi për aferën e ish Klubit Partizani.
Çdo fëmijë do ta bënte për prindin e vet dhe anasjelltas çdo prind do ta bënte për fëmijën e vet këtë mbrojtje edhe pse ka raste ndryshe e specifike, kur dinjiteti dhe personaliteti i fortë i individëve dalin përtej realiteteve e interesave emotive familjare dhe personale, e bëjnë distancim publik nga veprimet dhe vendimet e të afërmit/mëve të tyre. Por këto raste kryesisht nuk janë traditë e personalitetit karakterial shqiptar në report me përgjigjesitë publike dhe politike ndaj është e kotë të pretendojmë këtë standard.
Qëndimi i vajzës së Sali Berishës është krejt normal dhe i natyrshëm për mendësinë e shqiptarëve dhe Shqipërisë. Ajo nuk shprehu asnjë lëkundje ne bindjen e saj se pasuria e akumuluar është e merituar, e pastër dhe pa ndikimin e babait kryeministër. Por çka la mbresë në qasjen dhe argumentet publike që znj Malltezi ofroi për publikun, ishte deklarimi se e mirëkuptonte luftën politike, por jo rrëshqitjen e rëndë të sistemit të drejtësisë. Si bija e një prindi pushtetar të vënë nën akuzë për përdorimin e pushtetit për favore të interesave klanore dhe familjare (sikurse pretendohet e citohet edhe në raportin e DASH) dhe bashkëshorte e një burri të vënë nën akuzë për përfitime të pamerituara dhe disproporcionale, Argita Berisha Malltezi është në të drejtën e saj më legjitime t’iu dalë ne mbrojtje publike ose jo njerëzve të afërt të saj. Por si juriste dhe si e bija e ish presidentit dhe ish kryeministrit të vendit ajo gaboi në qasjen dhe paragjykimin e saj për drejtësinë e pa shprehur.
Sot Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë nën akuzë, por nuk janë fajtorë me vendim gjykate, aq më tepër me një vendim të formës së prerë. Prokuroria nuk është drejtësia. Prokuroria është një instrument i rëndësishëm në piramidën e sistemit të drejtësisë. Prokuroria është organi që ligji e detyron të ngrejë, kërkojë e argumentojë me prova në gjykatë, akuzën. Ndërsa është gjykata është ajo që ka tagrin e vendimit, për të bërë e dhënë drejtësi mbi bindjen e provave reale të qenësishme e të pakundërshtueshme. Ndaj kjo qasje për të paragjykuar drejtësinë nga e bija e Sali Berishës, është e nxituar e ndoshta edhe për arsye emotive, për të mos thënë se është për arsye sugjestive ndaj prokurorëve e gjykatësve të çështjes.
Mos harrojmë që deri dje kemi patur një drejtësi të nënshtruar politikisht herë me vetë angazhimin e politik të kupolës shtetërore e herë me vetofrim nga trupa gjyqësore. Dhe arkitekti që e futi mendësinë dhe aplikoi ndikimin direkt përmes mekanizmave institucionalë dhe ndikimit të tërthortë sugjestiv mbi organet e drejtësisë ndër vite ka qenë pikërisht Sali Berisha, babai i Argitës që sot paragjykon drejtësinë e paprovuar. A ishte Berisha ai që i shkoi Ilir Metës në shtëpi për darkë dhe jo rastësisht mediat u njoftuan për këtë darkë, një ditë para se gjykata të jepte vendimin për aleatin e tij ne qeveri i akuzuar për korrupsion?! Dhe gjykata nuk “zhgënjeu”. Dha vendimin e pafajësisë për Ilir Metën edhe pse provat e aferave të tij me bllok në dorë e me dhënie parash cash ishin me zë e figurë në videoregjistrimet e kryera nga ish bashkëpunëtori i tij në qeverisje, i ndjeri Dritan Prifti. Vera e pirë dhe lajmi për darkën private të Berishës e Metës ja vlejti. Pra pa’drejtësia u bë fakt.
Shqiptarëve iu desh të pranonin e kapërdinin atë vendim e shumë të tjerë si ai sikurse ishte afera e rrugës së Kombit ku u zhdukën 220 ml euro dhe Lulzim Basha atëherë ylli vezullues i Berishës shpëtoi me procedurë nga burgu. Kështu me radhë Gërdeci, 21 janari e shumë ngjarje e afera te tjera të ditura e të paditura u pranuan se drejtësia vendosi dhe kur vendos drejtësia (gjykata më saktë) të tjerët heshtin.Meta u shpall i pafajshëm dhe vijoi të bashkëqeveriste me Berishën e më pas me Ramën. Basha gjithashtu vijoi karrierën në ngjitje dhe arriti të ulet ne fronin politik të Berishës me bekimin dhe investimin e tij dhe pse doktori e di mirë masakrën financiare we është bërë në rrugën Durrës Kukës, por nuk ja përmend Bashës aferën dhe pse nuk i lë gjë pa thënë se rrugën e Kombit e shet ende publikisht si krenari personale dhe e do si kredo politike. Pra kur është rasti përdorim dy standarde në raport me drejtësinë. Por nëse kemi vendosur të pranojmë gjykatën si organin që vendos kush ka të drejtë e kush jo, do të na duhet ta pranojmë, pavarësisht nëse na pëlqen ose jo vendimi i saj.
A do të donim një drejtësi të vërtetë?! Sigurisht që po. A ishte drejtësi e mirë ajo që kishim? Sigurisht që jo. A duhet të dyshojmë te struktura e re e drejtësisë dhe eficensa e saj? Sigurisht që po. A duhet t’i japim kohë dhe mundësinë të provohet pa e paragjykuar? Absolutisht që po. Por duke u kthyer te rasti Berisha që po konsiderohet dhe interpretohet si proces me ndikim politik, duhet thënë se në rastin më te mirë është një nxitim emotiv dhe në rastin më të keq një presion mbi drejtësinë. Se të thuash që është rrëshqitje e rëndë e organeve të drejtësisë pa një vendim të formës së prerë nga një person si znj Argita Berisha që është juriste dhe për më tepër pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, është një qëndrim jo objektiv. Ndërkohë dhe nëse do mendonim për një çast se drejtësia në Shqipëri është me regji, në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg drejtësia është drejtësi dhe bota demokratike ku për fat jetojmë të jep të drejtën të kesh edhe këtë mundësi. Pra ka hapësira, instrumente dhe hallka për t’i shkuar deri në fund të vërtetës dhe të kërkosh te drejtën.
Ndaj në këtë rast fakti që znj Argita Berisha Malltezi, që ka ruajtur kryesisht një profil të distancuar nga politika, zgjodhi të dalë në mënyrë të parakohshme në mbrojtje të të afërmëve te saj shihet më shumë si një akt paniku sesa sigurie për pafajësi, aq më tepër që ata pezumohen ende të pafajshëm pa u shpallur të tillë nga gjykata . Të mos harrojmë që në botë janë dënuar njerëz me burgim të përjetshëm dhe me vendosmëri për të vërtetën ia kanë arritur ta gjejnë atë edhe pse me shumë kosto e vonesë duke bërë edhe burgim të padrejtë. Dhe nëse kjo drejtësi e re është me regji, tani i ra rasti edhe Berishës qe nga dikur regjisor që kishte gjithçka ne dorë, sot të jetë ne skenë thjeshtë si një aktor.
Në kinematografinë politike ka edhe rokadë pozitash, vetëm se Berisha ndoshta ka menduar se do të jetë gjithnjë regjisor, por rrethanat mënyra se si ka luajtur politikisht, por ndoshta edhe fati deshi që të shndërrohej pa dëshirën e tij, madje disi në mënyrë të imponuar në aktor. Kjo është karma doktor. Për këdo koha rezervon atë që meriton!