MENU
klinika

NATO së shpejti me 32 anëtarë

Çfarë fshihet pas “dritës jeshile” të Erdogan për Suedinë?

24.10.2023 - 11:19

NATO së shpejti do të ketë 32 anëtarë! Suedia, duket se do t’i shtohet aleancës më të madhe të mbrojtjes në botë, pas një “drite jeshile”, që dukej si surreale, nga Turqia, vendi që i ka krijuar më shumë pengesa nga të gjitha. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka dorëzuar në parlament një projekt-ligj mbi ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO, pas muajsh bisedimesh me vendet perëndimore për këtë çështje. Erdogan u tha aleatëve të tij të NATO-s në një samit në korrik se ai do ta dërgonte legjislacionin në parlamentin turk kur ai të mblidhej më 1 tetor, pasi kishte ngritur më parë kundërshtime për një sërë shqetësimesh sigurie. Megjithatë, që nga rihapja e parlamentit, zyrtarët turq kanë thënë vazhdimisht se Stokholmi duhet të ndërmarrë hapa më konkretë për të shtypur grupin e armatosur të jashtëligjshëm të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i cili është cilësuar si “organizatë terroriste” nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Arsyet e kësaj kthese drastike nuk dihen, megjithëse ekspertët kanë ngritur disa hipoteza.

Kthesa drastike

Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Suedia dhe Finlanda braktisën statusin e tyre të gjatë të neutralitetit dhe kërkuan të anëtarësohen në NATO në maj 2022. Në mënyrë që vendet e reja të bashkohen në aleancën ushtarake transatlantike, të 31 anëtarët aktualë të NATO-s duhet të jenë pro. Kërkesa e Finlandës u miratua nga të gjithë anëtarët dhe ajo u bë anëtare e NATO-s në prill. Oferta e Suedisë për anëtarësim është ratifikuar nga të gjithë anëtarët përveç Hungarisë dhe Turqisë.

Erdogan kishte akuzuar Stokholmin se ishte shumë i butë ndaj PKK-së dhe grupeve të tjera që vendi i tij i konsideron si kërcënime sigurie. Turqia gjithashtu u zemërua nga një seri protestash për djegien e Kuranit në Suedi. Turqia hoqi kundërshtimin e saj pas një “pazari” me presidentin e SHBA Joe Biden. Administrata e tij asokohe sinjalizoi se do ta lejonte Turqinë të blinte 40 avionë të rinj luftarakë F-16, që ajo i kishte kërkuar vazhdimisht, dhe komplete modernizimi nga SHBA. Sipas marrëveshjes, NATO ra dakord të trajtonte shqetësimet e Turqisë rreth “terrorizmit”.

E ardhmja e NATO-s

Pas lajmit të mirë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ai pret një “votim të shpejtë” në parlamentin turk. Nuk ka një afat kohor të caktuar për ratifikimin. Projektligji do të futet në rendin e ditës të komisionit të punëve të jashtme të parlamentit, i cili do të duhet ta miratojë përpara se të dërgohet në asamblenë e përgjithshme për ratifikim. Analistët thonë se anëtarësimi i Suedisë do të transformojë peizazhin e sigurisë së Evropës dhe do të tensionojë më tej marrëdhëniet me Rusinë, e cila kundërshton zgjerimin lindor. Ajo mund t’i ofrojë aleancës kapacitete të zgjeruara tokësore, detare dhe ajrore. Suedia ka një marinë të fortë, e cila do të forconte mbrojtjen e NATO-s në Detin Baltik dhe ndërton avionët e saj luftarakë. Në jug, anëtarësimi i jep aleancës një avantazh në Detin Baltik, një rrugë ujore strategjike e kufizuar nga Shën Petersburgu i Rusisë, si dhe disa nga anëtarët më të cenueshëm të NATO-s. “Anëtarësimi suedez dhe finlandez në NATO do t’i siguronte NATO-s një rrugë tjetër përforcimi përmes Detit Baltik,” tha Carisa Nietsche, një bashkëpunëtore për Programin e Sigurisë Transatlantike në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane.

Telashe për Rusinë

Pranimi i Suedisë në NATO do të nënkuptonte edhe një prani të shtuar në Arktik. Suedia, së bashku me Finlandën, është anëtare e Këshillit Arktik, një organizatë që mbikëqyr pjesët më veriore të botës, anëtarët e së cilës përfshijnë Rusinë, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara. Me anëtarësimin e tyre, “siguria e Arktikut do të vazhdojë të ngjitet në axhendën e NATO-s,” tha Nietsche. Misionet ushtarake nga Gadishulli Kola, rreth 110 milje në lindje të kufirit ku Rusia mban nëndetëset e raketave balistike dhe ruan kokat bërthamore, janë vendosur në të gjithë Arktikun. Si anëtarë, Suedia dhe Finlanda mund të ndihmojnë në monitorimin e këtij aktiviteti, por gjithashtu mund të rrisin rrezikun e përshkallëzimit.