MENU
klinika

Ende në pritje data për Berishën

Dosja ‘Partizani’/ Jamarbër Malltezi dhe ortaku i tij dalin sot para trupës gjykuese,

23.10.2023 - 10:18

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish kryeministrit Sali Berisha, i cili u arrestua mbrëmjen e së shtunës në Aeroportin e Rinasit, pritet të dalë sot para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë.
Seanca do të zhvillohet rreth orës 13:30 në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në të njëjtën orë pritet të zhvillohet edhe seanca për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndaj të cilit është caktuar masa ‘detyrim paraqitje’.

Malltezi dhe Bektashi janë vënë nën akuzë për aferën e ish-kompleksit Partizani.

Nuk dihet ende kur Berisha pritet të dalë para gjykatës dhe se si do të vijojë procesi për ish kryeministrin, i cili ka imunitet për shkak se mban mandatin e deputetit.

Sali Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Ndërkohë, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta.

Mbrëmjen e të shtunës, në selinë e PD ku po qëndronte Berisha i cili zhvilloi një konferencë të jashtëzakonshme, shkuan dy punonjës policie për ta njohur ish-kryeministrin me masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe pengim për dalje jashtë Shqipërisë. Por, Berisha refuzoi që ta firmoste urdhrin ndaj tij. Për këtë arsye, në Gjykatën e Posaçme nuk ka shkuar proces-verbali i OPGJ-së për Sali Berishën, pasi ky i fundit nuk e firmosi.

SPAK i akuzon Berishën dhe dhëndrin e tij për korrupsion pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash, akuzat më të fortë të ngritur ndonjëherë ndaj një zyrtari të lartë. Në Kodin Penal parashikohet se këto tre vepra kanë dënimet më të lartë në fushën e korrupsioni.

Vepra e korrupsionit pasiv dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Pastrimi i parave me pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Ndërsa fshehja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Parashikimet në Kodin Penal
Neni 260- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Neni 257/a- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet

Neni 287- Pastrimi i produkteve të veprës penale

1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen ose zhdukjen e origjinës së paligjshme të pasurisë ose dhënien e ndihmës për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;

c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi,

sipas ligjit për pastrimin e parave;

ç) fitimit, zotërimit ose përdorimit të pasurisë, kur dihet që është produkt i veprës penale; d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.