Pensionistët janë grupi që po vuajnë më shumë krizën në vend dhe rritjen e çmimeve. Ne renditemi në një nga vendet me pensionet më të ulëta, që të moshuarve nuk iu dalin as për të mbuluar nevojat bazë. Ndërkohë të dhënat aktuale tregojnë se situata do të përkeqësohet, pasi skema e pensioneve ka shumë probleme. Reformimi i skemës së pensioneve në vitin 2015 nuk e zgjidhi problematiken e deficitit të shkaktuar në buxhet. Kur kanë kaluar më shumë se 7 vite, ecuria e saj shihet me pikëpyetje, ndërsa ekspertët parashtrojnë nevojën e ndërhyrjeve të reja me qëllim përmirësimin e skemës, por njëkohësisht për të rritur masën e përftimit për pensionistët. E ftuar në emisionin “Box to Box”, ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj thotë se për të rritur masën e përfitimit për ata të cilët dalin rishtazi në pension, është e udhës që të ndërhyhet në dy shtylla kryesore, konkretisht në rishikimin e koeficientëve të vlerësimit si edhe në zbatimin e kolonës së dytë që janë pensionet private. Ndërsa për ata të cilët janë aktualisht në skemë, ekspertja e ekonomisë thotë se duhet t’ju ofrohet pension i 13-të si edhe indeksimi vjetor të bëhet bazuar në normën e inflacionit për shportën e pensionistit. Prej këtij muaji ka nisur të aplikohet edhe shtesa në masën 8.6 për qind. Çka do të thotë se bashkë me pensionin, të moshuarit do të përfitojnë edhe rritjen.
Reagon Hado
Ndërkohë Astrit Hado, Drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore thotë se fenomenet me të cilat po përballet skema e pensioneve janë pjesë e skenarëve të parashikuar. Largimi i fuqisë punëtore, rritja e jetëgjatësisë dhe rënia e numrit të lindjeve deri diku ishin të pritshme, por ngjarje të pamenduara ishin Covid-19 apo lufta Rusi- Ukrainë, që ndikojnë negativisht në tregun e punës. I ftuar në emisionin E-ZONE, Hado theksoi pak ditë më parë se skema ka vështirësi, por në treg ka ende hapësira për t’i dhënë skemës impulse pozitive. Kujtojmë se çdo vit në skemë shtohen rreth 40 mijë pensionistë. Ndërkohë që numri i kontribuuesve në skemë po rritet me ritme disa herë më të ulta se numri i pensionistëve, për shkak edhe të emigrimit. Në vitin që lamë pas 801 mijë individë paguan sigurime, ndërsa 686 mijë persona përfituan pension. Raporti përfitues/kontribues po shkon drejt barazimit, çka është një sinjal për ligjvënësit të mendojnë për një skemë më eficente. “Skemat e pensioneve janë gjithmonë në reformim sepse sa herë që ka ndryshim të faktorëve të tjerë duhen adresuar ndryshimet. Edhe në botë bëhen reformime, jo tërësore por në pensione dikush e bënë në invaliditet dikush tek përfitimet familjare. Qëllimi i reformës së vitit 2014, rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës dhe lidhjen e pensionit me kontributet e paguara, ai që ka kontribuar më shumë do të marr më shumë dhe ai që ka paguar më pak do të marr më pak. Ne kemi individ që kanë nga 45 vite pune dhe marrin sot sa paga mesatare në shkallë vendi, sepse kanë kontribuar për një kohë të gjatë. Reforma po jep përfitime më të mira për ata që kanë punuar, ne nxjerrim 40 mijë pensionit çdo vit dhe fenomeni që po hasim është se 35 për qind e pensioneve janë të pjesshëm, kanë vetëm punën në kohën e komunizmit dhe nuk kanë kontribuar asnjë lekë në skemë”, deklaroi ai. Sakaq zoti Hado u pyet nëse ka ardhur momenti që ligjvënësit të mendojnë për reformimin e skemës së pensione për ta bërë atë më eficente. “Variante reformash ka shumë, problemi është të gjitha këto modele reforma a përshtaten me realitetin e ekomomik, social të Shqipërisë apo jo. Ka disa vite që është diskutuar sistemi shumë kolonësh i pensioneve. Ky është një model që disa vende e kanë bërë dhe kanë dështuar, disa tjera e kanë bërë dhe i janë rikthyer prapë skemës publike. Duhet një debat shumë i madh që të bëhet jo vetëm nga qeveria por nga të gjithë aktorët, por a është e pranueshme nga qytetarët. Po ti thuash sot qytetarit që paguhet me pagë minimale që do paguash edhe 5 për qind ekstra a do ta pranojë, dhe nëse e pranon a i del atij rroga që të përballoj muajin dhe të heq edhe një 5 për qind për kontribute. Çdo reformë e pakujdesshme mund të lërë pasoja në kurriz të Buxhetit të Shtetit”, nënvizoi Hado.