Certifikimi i produkteve për eksport është një prej problemeve të fermerëve shqiptarë. Synimi i tyre është si furnizimi i tregut vendas, edhe tregtimi i produkteve të tyre jashtë kufijve. Duke mos pasur një certifikate të njohur humbjet mund të vijnë në shumë sektorë.
Një prej tyre është sektori i vajit të ullirit. Roza Domi, tregon se ka arritur të eksportojë prodhimin e saj vetëm në disa sasi të vogla një vit më parë.
“Eksporti i vajit dhe produkteve shqiptar është i vështirë, do ishte mirë që të kishim sa më shumë mbështetje që produktet tona të njihen jashtë shtetit. Kemi tentuar të eksportojmë, por është vështirë të certifikosh, të kesh kontaktet lidhjet, të gjesh tregjet. Kemi një sër kërkesash që duhet të plotësojmë”, u shpreh prodhuesja dhe eksportuesja Roza Domi.
Në draft-strategjinë e hedhur për konsultim publik mbi “Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Mbështetjen e Tregjeve” theksohet se sfidë për Shqipërinë është njohja evropiane e raporteve të ekzaminimeve mjekësore, certifikatave të kalibrimit dhe atyre të lëshuara nga laboratorët mjekësorë, laboratorët kalibrues dhe organet certifikuese të produkteve të akredituara prej tij. Kërkesa për certifikim në laboratorët privatë është e lartë.
“Në perspektivën e një trupe certifikuese do thoja produktet kryesore që certifikohen janë bimët mjekësore aromatike, bimë të tjera si fruta mali, gështenja, bimë sezonale si vaji i ullirit, shafrani çajra të ndryshëm”, u shpreh Klodiana Balla, eksperte bujqësore.
Por janë disa kritere që duhen plotësuar që malli shqiptar të tregtohet jashtë vendit.
Për produktet e freskëta si perimet frutat, standardet e certifikimet janë ato si global gap dhe po ashtu të kërkuara nga rrjetet e marketeve si kusht.
Por e rëndësishme prodhuesit të bashkohen të kenë më shumë sasi e bënë më të sigurtë eksportin, dhe çfarë do e ndihmonte më shumë hapjen e rrugëve ndaj tregjeve. Eksportet kërkojnë standarde të ndryshme dhe është e rëndësishme të plotësohen siç duhet.”
Edhe prodhuesit e pohojnë se u duhet ende punë që të arrijnë ta përgatisin produktin për eksport.
“Prodhimet tona kanë ndryshuar shumë gjatë viteve të fundit e cila ka ndikuar dhe në eksport, që kemi punë për eksportet akoma dihet dhe fermerët kanë më shumë nevojë për trajnime për t’u edukuar më shumë në këtë pjesë”, tha Alban Lila.
Sipas ekspertëve, dy institucionet shtetërore, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk munden të ofrojnë të gjitha analizat e produkteve, ndaj duhen laboratorë të tjerë të certifikuar për t’i dhënë drejtim fluksit të lartë.