MENU
klinika

400 forca priten nga Britania e Madhe

Gjermania do të dërgojë 150 ushtarë në Kosovë

06.10.2023 - 13:24

Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, të premten.

Ditë më parë, gazeta gjermane Spiegel, pati raportuar se autoritetet gjermane janë duke e shqyrtuar marrjen e një vendimi të tillë, për ta përforcuar misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.

Po të premten, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ka paralajmëruar përforcime shtesë të trupave të KFOR-it.

Më 1 tetor, Britania e Madhe ka konfirmuar se do t’i dërgojë 400 ushtarë shtesë në Kosovë. Ristuccia e ka përmendur se përforcime do të ketë edhe nga Rumania dhe “vende tjera aleate”.

Ai ka thënë se incidentet e muajve të fundit, kryesisht në veri të Kosovës, tregojnë që situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të tensionohet shpejt.

Komandanti i KFOR-it e ka përmendur që vetëm një zgjidhje politike do të mund të garantojë paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, dhe e ka përsëritur mbështetjen e KFOR-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë. Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do të ketë trupa shtesë nga Rumania"

Komandanti i KFOR-it paralajmëron përforcime