MENU
klinika

Gati 1 muaj e mbyllur

Hapet pikëkalimi kufitar në Jarinjë

18.10.2023 - 12:45

Pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë është hapur plotësisht për qarkullim mëngjesin e 18 tetorit, gati një muaj pasi ishte mbyllur.

Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo pikë kufitare është hapur në orën 08:30 të së mërkurës.

Pikëkalimi kufitar në Jarinjë, por edhe ai në Bërnjak – që gjenden në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – u mbyllën nga autoritetet e Kosovës më 24 shtator, pas sulmit të armatosur ndaj policisë së Kosovë, që autoritetet në Prishtinë e cilësojnë si sulm terrorist.

Bërnjaku veçse është hapur për hyrje/dalje më 4 tetor, ndërkaq Jarinja ka qenë e bllokuar për hyrje në Kosovë, ndërkaq ishte e hapur vetëm për dalje.

Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Në sulmin e një grupi të armatosur serbësh mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve mes grupit të armatosur dhe policisë u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, ndërkaq Kosova përmes një rezolute të miratuar në Kuvend ka kërkuar hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me sulmin në Banjskë.

Kosova ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i vendosë Serbisë masa ndëshkuese, ndërkaq në bllokun evropian kanë thënë se po presin që të përfundojnë hetimet dhe më pas do të vendosin për masat dhe hapat eventualë.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!