MENU
klinika

Vrasja e policit në veri

Hovenier: Çështja e përgjegjësisë nuk merr fund me deklarimin e Radoiçiq

04.10.2023 - 16:21

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka komentuar përsëri sulmin në Veri të Kosovës dhe për ecurinë e hetimeve.

Sipas Hovenier çështja e përgjegjësisë nuk merr fund me deklarimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe Millan Radoiçiq, se ai e ka organizuar sulmin.

“Do të thosha që gjëja e duhur për shërbimet tona të sigurisë dhe partnerë tjerë është që të vazhdojmë të tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur.Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ata që mbajnë përgjegjësi për sulmin duhet të mbahen përgjegjës.

Ky mbetet pozicioni ynë. Ne do të vazhdojmë të tentojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës dhe pse”, ka thënë Hovenier në një bashkëbisedim me gazetarët në ambasadë.

Më herët, KFOR bëri me dije se kanë shtuar praninë dhe aktivitetin në Veri, por bëjnë apel që palët të përmbahen nga retorika nxitëse.

“Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë.

FOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës“, njofton KFOR.

KFOR theksoi gjithashtu se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës. Më tej, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të arritur paqe.