Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontakti”, kundër veprimtarisë kriminale të vjedhjes.
Vodhi 300 000 lekë në banesën e një shtetaseje, identifikohet, kapet dhe arrestohet 21-vjeçari.
I arrestuari, shtetasi Markel Kyçyku, i dënuar më parë, për vjedhje.
Nga hetimet, 21-vjeçari rezultoi autor dhe i dëmtimit të disa objekteve në pronësi të teatrit “Skampa”, në muajin gusht të këtij viti.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një shtetaseje, se në banesën në fshatin Shirgjan, i kishin vjedhur 300 000 lekë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar “Kontakti”.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur zbardhja e kësaj vjedhjeje, si autor i së cilës u identifikua dhe u arrestua shtetasi M. K., 21 vjeç, banues në Elbasan.
Në vijim, gjatë veprimeve hetimore rezultoi se 21-vjeçari, më datë 03.08.2023, ka dëmtuar 2 objekte (çadra) në pronësi të objektit kulturor, teatri “Skampa”.
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer shtetasi M. K.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.