Në pritje të ofensivës tokësore izraelite në Rripin e Gazës, gjithnjë e më shumë po vijnë informacione shqetësuese për armët në rajonin e Lindjes së Mesme dhe mediat raportojnë gjithashtu njoftime për ardhjen e forcave shtesë të ushtrisë amerikane dhe arsenalit të saj në Izrael, për shkak të kërcënimeve nga Irani. Shumë kohë përpara se militantët e Hamasit të pushtonin Izraelin më 7 tetor, Irani dhe aleatët e tij rritën kontrabandën e armëve në një territor tjetër palestinez, Bregun Perëndimor, raporton Wall Street Journal. Duke përdorur dronët, fluturimet sekrete të avionëve dhe një urë tokësore përtej të paktën katër kufijve shtetërorë, kontrabandistët kanë krijuar një potencial të madh për “ndezjen e pikave të tjera”, në luftën midis Izraelit dhe palestinezëve. E kërcënuar tani është Jordania, një aleat i vendosur i Shteteve të Bashkuara që kufizohet me Izraelin dhe Bregun Perëndimor dhe ka luftuar prej kohësh për të frenuar kontrabandën në rritje të drogës dhe armëve nëpër territorin e saj.
Shënjestra e Iranit
“Irani dëshiron ta kthejë Jordaninë në një zonë tranziti për armët që shkojnë në Izrael,” i tha WSJ-së Amer Al-Sabaileh, themeluesi i grupit kërkimor kundër terrorizmit me bazë në Aman, Security Languages. “Kam frikë se armët mund të përdoren edhe në Jordani. Sepse ku në Lindjen e Mesme është më e lehtë të ndëshkosh SHBA-në dhe Perëndimin? Në Jordani,” beson Al-Sabaileh. Shumica e armëve të Iranit për palestinezët shkojnë në Bregun Perëndimor, veçanërisht për Xhihadin Islamik Palestinez, një grup militant i lidhur me Hamasin, sipas një zyrtari të lartë jordanez të sigurisë. Rrjetet e kontrabandës, të ndihmuara nga qeveria siriane dhe milicitë e mbështetur nga Irani si Hezbollah, po rriten, tha ai. “Fluksi i armëve është rritur me të vërtetë, veçanërisht gjatë vitit të kaluar. Kjo për shkak se Irani kohët e fundit ka qenë shumë më i përqendruar në Bregun Perëndimor dhe po përpiqet të armatosë disa nga grupet atje, veçanërisht Xhihadin Islamik Palestinez, i cili është më shumë partner i drejtpërdrejtë i Iranit,” tha ai.
Kontrabanda e armëve
Michael Horowitz, kreu i shërbimit inteligjent me bazë në Izrael Le Beck International. “Kjo ndoshta shpjegon një pjesë të dështimit të inteligjencës së shërbimeve izraelite për të parashikuar dhe parandaluar një sulm të Hamasit. Izraeli ishte më i fokusuar në Bregun Perëndimor sesa në Gaza,” tha Horowitz. Armët që transferohen nga Siria në Jordani fshihen në kamionë që kalojnë nëpër pikat kufitare zyrtare ose nëpër hapësira të mëdha shkretëtire, që fshihen nga mjegulla dhe pluhuri në dimër. Dronët po përdoren gjithnjë e më shumë, shkruan WSJ. Në shkurt, agjentët jordanezë kapën mjetin e parë ajror pa pilot nga Siria që mbante katër granata dore. Ishte një dron komercial, i blerë me çmim të ulët në internet dhe i lehtë për t’u përdorur, me kapacitet për të mbajtur dy pushkë sulmi. Megjithatë, nuk dihet se sa armë janë kontrabanduar në territoret palestineze dhe nëse disa përfundojnë në Gaza, nëpërmjet Izraelit.
Ndihma nga SHBA
Përpara sulmit të paralajmëruar në Gaza, Shtetet e Bashkuara vendosën të rrisin praninë e tyre ushtarake në rajon, për të penguar Iranin dhe aleatët e tij nga sulmi ndaj forcave amerikane dhe interesave aleate në rajon sapo të fillojë pushtimi. Sulmet tashmë kanë filluar, na kujton Financial Times, dhe që nga 18 tetori janë regjistruar dhjetëra sulme ndaj ushtarëve amerikanë, ku janë plagosur rreth 20 pjesëtarë të forcave ushtarake amerikane. Megjithëse presidenti i SHBA Joe Biden , i pyetur të martën mbrëma nëse SHBA e vonoi sulmin në Gaza, tha se “izraelitët marrin vendimet e tyre, duke vonuar pushtimin tokësor për të mposhtur Hamasin, i dha SHBA-së kohë për të dërguar mbrojtje ajrore, personel shtesë dhe anije në rajonin për të mbrojtur popullin e tij dhe për të penguar Teheranin nga ndërmarrja e hapave të rrezikshëm. Në dy javët e fundit, dy grupe të reja sulmuese aeroplanmbajtëse amerikane kanë mbërritur në rajon. Kjo është vetëm një pjesë e përforcimit. Këto janë “shenjat ogurzeza” të përshkallëzimit, para se Izraeli të nisë pushtimin e tij në Gaza.