MENU
klinika

Aktivizohet ushtria dhe spiunët

Izraelitët nisin “gjuetinë” e liderëve të Hamasit

17.10.2023 - 08:30

Bota e shikon Lindjen e Mesme dhe mban frymën pezull. Kriza midis Izraelit dhe Hamasit në fakt mund të kthehet në një luftë shumë më të përhapur, me protagonistë të rinj dhe dinamikë shqetësuese ekonomike dhe politike për pjesën më të madhe të Perëndimit. Shenjat që po mbërrijnë në këto orët e fundit nuk janë aspak të mira. Të dyja palët po synojnë të gjejnë pikat e dobëta të kundërshtarit, për ta goditur pikërisht aty. Si dhe “shënjestër” pa dyshim janë zinxhirët komandues në të dy vendet. Izraeli madje ka futur në lojë ushtrinë dhe spiunët, pikërisht për këtë.

“Osama Bin Laden i Palestinës”

Së fundmi, trupat izraelite thane kanë nisur “gjuajtjen” e një komandanti të Hamasit të përshkruar si “Osama bin Laden i Palestinës”, duke u zotuar se do ta gjenin kudo që fshihej dhe duke këmbëngulur se ditët e tij ishin të numëruara. Yahya Sinwar, 60 vjeç, është kreu aktual i Hamasit në Rripin e Gazës. Ai është arrestuar disa herë nga Izraeli dhe ka kaluar 24 vjet në burgjet izraelite: ai u lirua në vitin 2011, si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve në këmbim të ushtarit izraelit Gilad Shalit. Sinwar thuhet se është përgjegjës për vrasjen e 1300 izraelitëve në sulmin e 7 tetorit. “Yahya Sinwar është fytyra e së keqes,” tha nënkoloneli Richard Hecht, një zëdhënës i IDF. “Ai është truri pas kësaj, siç ishte Bin Laden. Ai e ndërtoi karrierën e tij në vrasjen e palestinezëve kur e kuptoi se ata ishin bashkëpunëtorë. Kështu ai u bë i njohur si kasapi i Khan Younis, në Gazën jugore. Zëdhënësi i IDF tha se trupat izraelite nuk do të pushonin derisa Sinwar të gjendej dhe vritej.

Udhëheqësit e Hamasit

Sakaq, në terren, udhëheqja është në duart e Mohammed Deif, kreu i Brigadave Ezzedine al Qassam. Pasi i ka shpëtuar një serie pritash të pafundme, ai është shndërruar në një hije të aftë për të drejtuar luftëtarët. Betejat e përsëritura i kanë mësuar milicët e tij se si të rrisin masat e sigurisë rreth tyre, duke e ditur se Shin Bet i premton ar kujtdo që mund të tregojë strehimin e tyre, i cili mund të jetë kudo. Bashkëpunëtori i tij më i ngushtë është Marwan Issa. Situatë e ndryshme është për Yahya Sinwar, lideri politik, i cili mbeti në Gaza. Izraelitët e kanë përfshirë në listë prej disa kohësh, por shërbimet sekrete egjiptiane në të kaluarën i kanë kërkuar Jerusalemit “të mos e prekin”. Mbi të gjitha Saleh al Arouri, një figurë me rol ushtarak dhe politik, shumë i pranishëm në skenë. Anëtarë të tjerë janë vendosur në Turqi, mysafirë të një Erdogani të paqëndrueshëm.

Tre gjeneralët e Izraelit

Nga ana tjetër, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, zinxhiri komandues i vendit duket më i fortë se kurrë. Por kush janë të fortët izraelitë që, në këtë fazë, po udhëheqin kundërsulmin? Janë tre njerëz të spikatur midis tyre. Herzi Halevi është filozofi gjeneral që po udhëheq Izraelin kundër Hamasit. I lindur në vitin 1967, ai vjen nga bota e parashutistëve, por në vitin 2018 mori komandën e zonës ushtarake jugore pas vitesh në inteligjencë ushtarake. Verën e kaluar ai u vu në dukje si një “simpatizant” i protestës kundër reformës në drejtësi të Benjamin Netanyahut. Ai vetë kishte promovuar një operacion pajtimi në të cilin kishte ftuar kryeministrin dhe opozitën, përballë rezervistëve të Forcave Ajrore që kërcënonin se nuk do të paraqiteshin më në punë. Gjenerali që drejton kundërofensivën e Izraelit në Gaza, i akuzuar fillimisht se ka luajtur Kasandrën, rrezikon të mbetet në histori si një figurë tragjike. Për t’u llogaritur në mesin e ish-gjeneralëve, i lindur në vitin 1958, është edhe Yoav Gallant, kreu i komandës jugore të IDF për një kohë të gjatë. Në Izrael ai shërbeu kryesisht në role luftarake. Në qeverinë e gjashtë të Netanyahut, ai mbajti rolin e ministrit të mbrojtjes, gjë që i shkaktoi atij jo pak përplasje me kryeministrin: pranverën e kaluar. I treti është Tomer Bar është kreu i Forcave Ajrore të Izraelit: i lindur në 1969, ai ka shërbyer më parë në Drejtorinë e Dizajnit të Forcave Ajrore dhe si pilot luftarak F-16. Ai është një ushtar izraelit i dekoruar, që ka shërbyer në Luftën e Dytë të Libanit, Operacionin Zona e Sigurisë së Libanit Jugor dhe Operacionin Protective Edge.