MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Kosova dhe Palestina, krahasimi që nuk qëndron!

16.10.2023 - 10:47

Qyshse ka filluar beteja e re mes Izraelit dhe Hamasit, ka filluar edhe ajo në rrjet, ku natyrisht shqiptarët nuk mund të mos rrinin pa marrë pjesë.

Një segment i këtyre janë nostalgjikët, ata që kanë mbetur nga koha kur Enver Hoxha ishte rreshtuar në krah të arabëve qoftë për shkak se gjithë lindja komuniste mbante atë anë, e qoftë sepse e gjente veten më afër shpirtërisht me diktatorët e asaj zone dhe ku Izraeli bënte dallim. Këtyre nuk iu vihet faj pasi akoma besojnë se Mehmet Shehu ishte poliagjent.

Një segment tjetër janë ata që nuk i futen analizës se si qëndron puna në terren, por janë dakord edhe me protestat e shoqatës së kafshëve, alkolistëve anonimë apo kundërshtarët e bypassit të Gjirokastrës. Këtyre nuk u vihet faj se gëlltisin gjithçka servir propaganda.

Dhe të fundit janë ata që identifikohen me islamin dhe jo me kombin dhe përfaqësojnë internacionalen islamike dhe nacionalizmin arab për t’i marrë tokat kaurrëve. Këta janë më të sinqertët.

Personalisht besoj se shumica e shqiptarëve simpatizojnë izraelitët pasi janë kërthiza e qytetërimit perëndimor, janë një demkraci e zhvilluar me defekte që i njohin edhe ata vetë dhe janë përkrahës të shqiptarëve qoftë për shkak të mbështetjes që iu dhamë gjatë Holokaustit apo të drejtave njerëzore. Lobi hebre dhe Madlen Ollbrajt ishte një mbështetës i Kosovës.

Çuditërisht gjithë internacionalja islamike është në unison me të majtën evropiane, një e majtë që rrallëherë ka qenë proshqiptare (përjashto luftën e Kosovës kur Klinton dhe Bler i morën zvarrë) dhe kanë mbushur sheshet me protesta. Madje po harrohen 1.200 izraelitë të vrarë, por numërohen ata palestinësë pa bërë dallim sa janë civile dhe sa të Hamasit.

Sot në demonstratë ke vetëm arabë dhe majtistë. Por le të kthehemi te Kosova, që shumë filopalestinezë e gjejnë të ngjashme me Gazën dhe Izraelin të ngjashëm me Serbinë e Milosheviçit. Kjo është një tezë që tërthorazi armiqëson Kosovën me miqtë e saj perëndimorë duke barazvlerësuar të pakrahasueshmen. Para së gjithash Hamasi nuk ka pikë krahasimi me UÇK-në. E para është një organizatë terroriste dhe fondamentaliste, kurse UÇK-ja një organizatë laike e cila nuk pranoi asnjëherë në radhët e saj muxhahidinët dhe me karakter të theksuar kombëtar.

Asnjëherë UÇK-ja nuk përdori civilët si mburoja njerëzore dhe as i mbajti peng ata. Në të kundërt Hamasi nuk po lejon evakuimin e civilëve nga Gaza veriore pikërisht për t’i përdorur si mbrojtje njerëzore.

Udhëheqësit e UÇK-së kanë qenë të gjithë në terren, kurse ata të Hamasit urdhërojnë masakrat mbi civilë nga hotelet luksoze të Dohas në Katar.

UÇK-ja asnjëherë të vetme nuk bëri raprezalje mbi civilët serbë dhe aq më pak t’i merrte peng. Kjo është tezë serbe e mbështetur nga gjakprishurit shqiptarë, e cila po çmontohet në Hagë.

UÇK-ja asnjëherë nuk pengoi evakuimin e civileve drejt Shqiperisë që t’i përdorte si mburojë, përkundrazi, kur mundi u bë mburojë e tyre, në kundërshtim me Hamasin që po i përdor si mish për top.

Asnjëherë UÇK-ja nuk preu fëmijë në fyt, as përdhunoi femra dhe as dogji të gjallë familje serbe. E kundërta është e vërtetë. Ndaj Kosova nuk ka lidhje me palestinezët dhe UÇK-ja me Hamasin.

Dhe së fundmi, Serbia nuk kishte asnjë kauzë historike për pretendim territorial ndaj Kosovës përveç disa sajesave murgjish me moshë 100 vjeçare. Kurse Kosova edhe në motët më të zeza ka një vijimësi historike të prezencës së saj në Kosovë dhe supremacisë numerike.

Ajo që është më e rëndësishmja sot, ka të bëjë me faktin se në krah të Izraelit janë gjithë blloku perëndimor atlantik. Kurse ata që qajnë më shumë për të drejtat e plestinezëve janë vëllezërit arabë që shkëlqejnë nga demokracia, kinezët, pakistanezët, domethënë gjithë galaktika e vendeve ku njerëzit dhe shqiptarët “ëndërojnë” të emigrojnë.

Gjithsesi është një zgjedhje e drejtë rreshtimi që ka bërë shumica e shqiptarëve në krah të Izraelit. Pasi miku i mirë gjendet në ditë të vështirë, qoftë edhe më një fjalë që të ngushëllon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!