MENU
klinika

Tensionet në veri të Kosovës

Kreu i komunës së Zveçanit i bindur: Tani për tani, nuk dorëhiqem!

22.10.2023 - 09:59

Kryetari i Komunës së Zveçanit në veri të Kosovë, Ilir Peci deklaroi se nuk do të jap dorëheqje. Ai ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare për dorëheqje nga qeveria dhe as nga ndërkombëtarët, prandaj shprehet se është shumë herët të flasë për një gjë të tillë.

Sipas tij, ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ka qenë sulm terrorist i organizuar nga Serbia dhe kjo e fundit duhet të dënohet nga Bashkësia Ndërkombëtare.

“Ka qenë një sulm terrorist i organizuar nga Serbia… Ka qenë një ditë shumë e vështirë për mua si kryetar komune, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Mirëpo, falë policisë gjithçka brenda asaj dite ka përfunduar mirë dhe tani situata është më e qetë dhe gjendja është stabilizuar pak në Komunën e Zveçanit… Një organizim aq i madh, të sulmohet policia në shtetin e vet, patjetër se po (Serbia duhet të dënohet nga Bashkësia Ndërkombëtare)… Për momentin jo (nuk do të jap dorëheqje), por të shohim. … Ende neve nuk na është dorëzuar diçka zyrtarisht për dorëheqje, as nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe as nga ndërkombëtarët. Derisa nuk na vjen diçka zyrtarisht, është shumë herët me dhënë një mendim rreth kësaj”, tha ai në një intervistë për Kosova Press.

Peci, i cili vazhdon të kryejë detyrën e kryetarit që gati pesë muaj nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, tha se deri tani nuk ka pasur vizita nga qeveritarët, ndonëse pranon se komunikon përmes emailit dhe telefonit, kryesisht me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Mirëpo, Peci, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, bëri të ditur se vizitat nuk kanë munguar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe anëtarët e tjerë të partisë, nga të cilët tha se ka marrë edhe këshilla e sugjerime.
Ai shprehet se nuk është i sigurt nëse do ta përfundojë mandatin e plotë të kryetarit, pasi siç tha vetë, gjithçka në veri ndërlidhet me rrethanat politike. Peci tregoi se ka edhe interesim të shtuar të qytetarëve serbë të Zveçanit për t’u pajisur me dokumente personale, të cilët kërkojnë shërbime në objektin e improvizuar komunal në Kelmend.