Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi e pyetur jashtë sallës së Kuvendit nëse ajo ose ndonjë familjar i saj kanë pasur fletëthirrje nga SPAK Kryemadhi u përgjigj se ajo ka pasur shumë fletëthirrje.
Ajo deklaroi se nuk e ka problem thirrjen nga SPAK, teksa shtoi se pret të thirret nga Prokuroria Speciale edhe sa i takon operacioneve plastike. Ndërsa sa i takon çështjes së Lobimit ajo deklaroi se ende nuk ka ndonjë thirrje nga SPAK.
“Po edhe mund të ketë. Çfarë problemi ka? Mund të ketë edhe për 200 çështje. Për ne fletë-thirrje nuk ka, po fletë-thirrje mund të ketë dhe për dashnoret dhe dashnorët e gazetarëve. Kam pasur fletëthirrje të shumta nga SPAK për inceneratorin e Elbasanit, Tiranës e Fierit, por edhe nëse do të kem për çështje të tjera do të shkoj. Pres nga SPAK të më thërrasë edhe për operacionet plastike. Deri më tani nuk kam asnjë njoftim. Jo nuk jam thirrur për lobimin”, tha Kryemadhi.
E pyetur për akuza ndaj Sali Berishës dhe bashkëshortit të vajzës së tij në lidhje me hetimin e privatizimit të kompleksit Partizani, Kryemadhi e cilësoi Jamarbër Malltezin si të burgosur politik,
“Për mua, Arbër Malltezi është i burgosur politik. Sali Berisha është një i përndjekur politik. Ju e njihni Berluskonin. Ka pasur 475 çështje por nuk i ka hequr pasaportën. Ajo që unë theksoj është që loja politike që përdoret për mua është shumë e shëmtuar dhe krijon terror. Janë 16 pronarë dhe pse duhet të arrestohet njëri dhe jo të 16-të me logjikë?! Këtu është problemi i mos funksionimit të shtetit. Mua nuk më shqetëson SPAK-u. Çfarë është një prokuror? Është një nëpunës. I paguan rrogën Edi Rama që i thotë të heqë gruan nga puna, të vëmë 10 policë nga prapa”, deklaroi ajo.